2010-04-21 18:20:30

Në Itali janë mëse njëmijë të mitur shqiptarë të pashoqëruar


(21.04.2010 RV)Papa foli edhe për emigrantët gjatë audiencës, duke u përqendruar kryesisht në ata që kërkojnë strehim politik, apo që largohen nga luftrat e konfliktet. Pikërisht sot, u paraqit në Romë raporti i dytë i Rrjetit Evropian të Emigracionit mbi të miturit e pashoqëruar, i fokusuar në gjendjen italiane. Shumica e të miturve vijnë nga Maroku dhe Egjipti, por Shqipëria është në vendin e tretë, duke treguar se pas 20 vjetësh demokraci, arsyet që i shtyjnë njerëzit drejt emigrimit ekzistojnë akoma. Pyetëm Antonio Riçin, i cili është kujdesur për përgatitjen e vëllimit nga ana e Karitasit Italian. Ta dëgjojmëRealAudioMP3
Faza e emergjencës ka kaluar. Të mendojmë për shembull se në vitin 2000, rreth 60% e të miturve të pashoqëruar ishin shqiptarë, ndërsa tani ata janë vetëm 12,5%. Megjithatë, nuk është ndonjë sukses i madh, pasi kjo do të thotë se numri i të miturve e kalon njëmijëshin. Në përgjithësi, janë fëmijë të rritur para kohe, për shkak të përvojës së jetës. Rruga që përshkojnë është pa dyshim e ndryshme nga ajo që i takon një afgani, apo irakiani, pasi nuk largohen nga luftrat e konfliktet, por vijnë në Itali sidomos për shkaqe ekonomike, në ndjekje të ëndrrës se këtu do të kenë më tepër sukses.
Si vijnë, pasi dihet se nga Shqipëria nuk nisen më barka e gomone me emigrantë për në Itali. Është e njohur marrëveshja Romë-Tiranë për moslejimin e barkave me fuqi të mjaftueshme për të kapërcyer detin, që i ka sjellë, nga ana tjetër, dëm të madh ekonomisë shqiptare të turizmit…
Arrijnë, të shoqëruar nga “passeur”, pra nga të rritur, që paraqiten në kufi si prindër, ose si të afërm. Por, fati i këtyre emigrantëve, që vijnë në mënyrë të parregullt, është shumë i vështirë. Së pari, nuk gjejnë punë lehtë dhe varen krejtësisht nga pronari, i cili mund t’i shfrytëzojë. Së dyti, bëjnë një jetë të fshehtë, janë të padukshëm për shoqërinë e për ligjin dhe vazhdimisht ekziston rreziku të kapen nga policia e të shoqërohen në kufi. Kjo gjendje sjell një shfrytëzim të dyfishtë dhe i bën të miturit edhe më të brishtë e më të pambrojtur, sikur të mos mjaftonte mosha e tyre e njomë.







All the contents on this site are copyrighted ©.