2010-04-21 18:20:06

Imzot Miliore: bashkësia ndërkombëtare të mbrojë vlerat dhe kulturat e popujve indigjenë.


(21.04.2010 RV) Kriza e thellë financiare ka dëmtuar rëndë edhe popullsitë indigjene. Duke pasur parasysh këtë skenar, Selia e Shenjtë i ka shtrirë programet dhe projektet e veta, duke i vënë në shërbim të përmirësimit global të kushteve të tyre të jetesës. Këtë nënvizoi dje vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, kryeipeshkvi Çelestino Miliore, duke folur në Nju Jork, në sesionin e nëntë të OKB-së mbi problemet e popullsive indigjene.
Quhen kështu ato popullsi, origjina e të cilave në një vend të caktuar, i ka rrënjët në parahistori. Popullsi të tilla janë pigmejtë, boshimanët, bantutë, australianët, aborigjenët, banorët autoktonë të Amerikës, viktima të kolonializmit e pakica të tjera, shpërndarë nëpër botë, të cilat edhe sot luftojnë për mbrojtjen e territorit, të gjuhëve, kulturave e sovranitetit të tyre. Të inkurajon fakti që, pas adoptimit të Deklaratës të të Drejtave të Popujve Indigjenë, pavarësisht nga kriza dhe vëshirësitë në disa sektorë, janë bërë hapa premtuese përpara, për zgjidhjen e problemeve, që kanë të bëjnë me këto popullsi, kryesisht për ruajtjen e kulturës e të trashëgimisë së tyre. Këtë theksoi vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, duke shtuar se popujt indigjenë duhet të jenë në gjendje të zgjedhin gjuhën e tyre, të praktikojnë fenë e tyre e të marrin pjesë gjallërisht në vijimin e formimit të kulturës së tyre. Prandaj – nënvizoi Prelati – Selia e Shenjtë promovon qendra, ku studiohen gjuhët indigjene, të cilat shpesh shkojnë drejt shuarjes. E impenjohet edhe në promovimin e zhvillimit kulturor, që ka për qëllim pasurimin njerëzor e shpirtëror të këtyre popullsive.







All the contents on this site are copyrighted ©.