Sot më 20 prill kalendari Kishtar përkujton Shën Aniçetin, Papë
(20.4.2010 RV)Të krishterët nuk kanë arriur akoma të merren vesh për kremtimin
e Pashkëve në të njëjtën ditë. Problem që mbetet ende i pazgjidhur, ndonëse përpjekjet
nisën që në vitet 140-145 nën papninë e Piut I. Piu I u përqoq ta zgjidhte problemin,
duke caktuar si ditë feste për të gjithë, të dielën e parë pas hënës së plotë të pranverës.
Por të krishterët e Lindjes vijuan ta kremtojnë solemnitetin në një datë të pandryshueshme
e pikërisht më 14 të muajit hënor Nisan, kur nisën të kremtoheshin Pashkët e hebrenjve.
Papa
Aniçeti eci në gjurmët e Piut I, por nuk mundi ta zgjidhte problemin e datës së përbashkët.
U takua, për këtë, me ipeshkvin e Kishës lindore, Polikarpin e Smirnës. Diskutuan
për një kohë të gjatë, pa u marrë vesh, por u ndanë në paqe. Madje Aniçeti e rrethoi
ipeshkvin e Azisë (martir i ardhshëm) me shumë nderime e kujdese. Kështu vërtetë nuk
mundi ta njësojë datën, por e shpëtoi Kishën nga rreziku i një skizme të re për shkak
të saj.
Ka shumë mundësi që Aniçeti të ketë ardhur në Romë nga Siria e, duke
zënë vendin e Piut I, ta ketë gjetur Kishën shumë të pështjelluar. E kjo, sepse para
tij, nga Lindja kishte ardhur në Romë teologu Marçione, i mirëpritur nga bashkësia
romake për bujarinë e edhe për moralin e tij të padiskutueshëm. Pikërisht ky teolog
kishte përhapur një teori të re, bazuar mbi një Zot që është Ati i Jezu Krishtit,
por jo Hyji i Besëlidhjes së Vjetër. Me një fjalë, fliste për dy Zota: njëri shëlbues
e tjetri gjykatës. Krijoi kështu çrregullime aq të mëdha në Romë, sa Polikarpi e quajti
djali i madh i Shejtanit.
Aniçeti mendonte se doktrina luftohet me doktrinë,
duke studiuar më shumë për t’i udhëhequr si duhet besimtarët e sidomos, me shembull.
Prandaj emëroi një numër të madh meshtarësh e diakonësh, nga të cilët kërkoi të jepnin
shembull të mirë, që ta shikonin e ta ndiqnin të gjithë. I ndaloi rreptësishtë meshtarët
të silleshin kot e të mbanin flokë të gjatë: të gjithë duhet t’i qethnin flokët shkurt
e të punonin jo me fjalë boshe, por me vepra, për mbretërinë e Hyjit. Dha vetë i pari
shembull të shkëlqyer, duke mbrojtur pastërtinë e doktrinës, pa frikë nga perskutimet,
që nuk i munguan.
Jetoi 11 vjet me ankthin shpirtëror të Kishës universale,
që ishte në rrezik, që duhej shpëtuar e duhej nxitur me energji për të dalluar problemet
kryesore nga ato të dorës së dytë. Vdiq gjatë persekutimit, viktima të të cilit qenë
edhe Shën Justini e Shën Feliçita. Trupi i tij u varros në minierën pocolane, e cila
më pas u shndërrua në katakombet e Shën Kalistit.