2010-04-20 16:26:05

Kryeministri Shqipërisë Berisha takon ministrin e Jashtëm të Kosovës,Hyseni


(20.4.2010 RV)Kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot, se "Kosova po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një faktor thelbësor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan".
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha në takimin me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Skënder Hyseni vlerësoi arritjet e mëdha të Kosovës.
"Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë dhe në veçanti, pjesëmarrja e komunitetit serb në këto zgjedhje dëshmuan edhe një herë nivelin e lartë të standardeve demokratike të arritura në Kosovë", tha Kryeministri Berisha.
Ai tha se "është e rëndësishme që të dy vendet të ndërmarrin hapat për studimin e fizibilitetit për një projekt të dytë madhor që do të zgjeronte lidhjet midis tyre, por edhe mbarë rajonin, ndërtimin e linjës hekurudhore midis dy vendeve".
Nga ana e tij, Ministri Hyseni vlerësoi kontributin e qeverisë shqiptare për gjithçka që ka bërë për Kosovën. Ai informoi Kryeministrin Berisha për fillimin e punimeve në pjesën e rrugës së kombit që kalon në Kosovë dhe e falënderoi edhe një herë për kontributin e tij për realizimin e veprës madhore të kombit, rrugës Durrës-Kukës-Morinë.
"Dorëzimi i përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian për Shqipërinë është një akt për të cilin jemi të gjithë krenar", tha z. Hyseni, duke e cilësuar këtë një ngjarje historike e madhore për Shqipërinë, por edhe për mbarë kombin shqiptar.
Në takim u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të gjitha fushat, në veçanti për promovimin e mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore, në fushën e energjisë si dhe bashkëpunimit rajonal dhe në kuadër të integrimit evropian dhe atë euroatlantik.







All the contents on this site are copyrighted ©.