2010-04-20 15:57:02

Dukuritë natyrore na bëjnë të mendojmë për zanafillën e njeriut. Intervistë me Imzot Klaudio Maria Çeli.


(20.04.2010 RV)RealAudioMP3 Humbjet ekonomike dhe vështirësitë shkaktuar nga reja e hirit të vullkanit islandez, që ka paralizuar trafikun ajror në shumë vende të Evropës veriore, janë në qendër të vëmendjes së mjeteve të informacionit. Më pak rëndësi po i jepet marrëdhënies së njeriut me natyrën, në veçanti, aftësive të kufizuara që kemi për t’i bërë ballë dukurive si kjo e vullkanit. Po, pse këto aspekte të këtij problemi janë anashkaluar? Në mikrofonin tonë flet Imzot Klaudio Maria Çeli, kryetar i Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore:

Përgjigje: Një nga problemet e sotme është se kur lexojmë fjalën “njeri” e lexojmë, vetëm, ose të shumtën e herëve, në kuptimin ekonomik. Harrojmë të thellohemi në kuptimin e asaj çka është njeriu, në botën e sotme. Mendoj se ngjarje si kjo, si vullkani pra, na bëjnë të mendojmë me të vërtetë se kush jemi, dhe na ndihmojnë që të rizbulojmë mundësinë që ka njeriut për t’iu hapur botës mbarë. Njeriu zbulon kështu edhe realitetin e tij, prejardhjen e tij. Kjo, do të thosha, do të na ndihmonte jo vetëm t’i theksojmë aspeket e vërteta të jetës sonë, por edhe të kemi një qëndrim më të përvuajtur, jo pse njeriu ndihet i pafuqishëm, por se e kupton se është një krijesë. Këtë gjë ne shpeshherë e harrojmë.

Pyetje: Imzot Çeli, po pse shtypi, radio, tv e largojnë këtë fakt kaq të rëndësishëm, këtë aspekt që e bën njeriun kaq të kufizuar përballë një ngjarjeje natyrore të pakontrollueshme nga asnjë teknologji, duke na bërë të protestojmë nuk e dimë se kundër kujt?

Përgjigje: Nuk besoj se në këtë mes ka ndonjë qëllim të mbrapshtë. Problemi është se nganjëherë jeta na detyron të ecim në mënyrë sipërfaqësore, pa u thelluar në tema dhe çështje, pa i shkuar në thellësi zemrës së njeriut, në ndjenjat e tija më të thella. Prandaj, rreziku që na kanoset është se lajmi mund të kthehet thjeshtë në një lajm që lidhet me natyrën. Tashti, unë mendoj se përballë këtyre fenomeneve, natyra në tërësinë e vet, me forcat e veta të verbta, na ndihmon të rizbulojmë faktin se jemi në dorë të Zotit, të atij Zoti që na do dhe na shoqëron, që na rri afër edhe kur përballemi me vështirësitë e gjithmonshme që vijnë si pasojë e disa shprehjeve të dhunshme të vetë natyrës.







All the contents on this site are copyrighted ©.