2010-04-20 15:56:31

Benedikti XVI në funeralin e kard. Shpidlik: njeri i lirë, që e jetoi miqësinë me Krishtin me gjithë zemër, edhe në situata të vështira.


(20.04.2010 RV)RealAudioMP3 Një jetë e jetuar sipas urdhërimit të dashurisë: Benedikti XVI e përvijoi kështu rrugën tokësore të kardinalit Tomash Shpidlik, funerali i të cilit u kremtua sot në Bazilikën e Vatikanit. Meshën e tha kardinali dekan, Anxhelo Sodano, ndërsa Papa mbajti homelinë dhe kryesoi ritet mortore.

“Gjatë gjithë jetës kam kërkuar fytyrën e Jezusit, e tani jam i lumtur dhe i qetë, sepse po shkoj ta shoh”: Benedikti XVI kujtoi fjalët e fundit të kardinalit Shpidlik, duke shpjeguar se përqafimi i Krishtit në çastin e largimit nga kjo botë është i sigurtë, i fortë e i ëmbël e na çon drejt jetës së amshuar:
“Mendoj se njerëzit e mëdhenj të fesë jetojnë të zhytur në këtë hir, u është dhënë si dhuratë perceptimi me forcë të veçantë i kësaj së vërtete, e kështu mund të kalojnë edhe sprova të rënda, siç i ka kaluar kardinali Tomash Shpidlik, pa e humbur besimin e madje, duke ruajtur një ndjenjë të gjallë humorizmi, që është pa dyshim shenjë inteligjence, por edhe lirie të brendshme”.
Ati i Shenjtë theksoi ngjashmërinë ndërmjet prelatit çek, që u nda nga kjo jetë të premten e kaluar, dhe Papës Gjon Pali II:
“Të dy kishin prirje për batuta me humor dhe për shaka, megjithëse në rini kishin përjetuar personalisht ngjarje të vështira e për disa aspekte, të ngjashme. Provania i bëri të takohen e të bashkëpunojnë për të mirën e Kishës, sidomos që ajo të mësojë si të marrë frymë plotësisht “me të dyja mushkëritë”, siç i pëlqente të thoshte Papës sllav”.
Kardinali Shpidlik, nënvizoi Benedikti XVI në homelinë e vet, e kishte shpresën në Jezusin e Ringjallur:
“E dëshmonte këtë gjithmonë, me mënyrën e të jetuarit, e kjo dëshmi e tij bëhej gjithnjë e më e qartë me kalimin e viteve, sepse, pavarësisht nga mosha e problemet shëndetësore, shpirti i tij mbetej i freskët e rinor. A s’është kjo miqësia me Zotin e Ringjallur?”
“Ex toto corde”, “Me gjithë zemër”, kujtoi Papa moton e pranishme në stemën e kardinalit çek:
“Duke zgjedhur këtë moto, Vëllai ynë i nderuar e vendoste jetën e vet, si të thuash, brenda urdhërimit të dashurisë, e brendashkruante në primatin e Zotit e të bamirësisë”.
Njeriu që e pranon me gjithë zemër dashurinë e Zotit – vazhdoi akoma Papa – pranon dritën dhe jetën e bëhet ai vetë dritë për njerëzimin e gjithësinë. Por, kush është kjo zemër e botës, përveçse Jezu Krishtit? E kardinali Shpidlik, duke qenë edhe jezuit, ishte bir i denjë i shën Injacit, që vendos në qendër të fesë e të përshpirtërisë kundrimin e Zotit në misterin e Krishtit. Në fund, Benedikti XVI kujtoi edhe pasionin e kardinalit për artin e krishterë, gjë që e bëri frymëzues planesh e projektesh të sintetizuara në Kapelën “Redemptoris Mater” të Pallatit Apostolik. Papa e përfundoi homelinë duke iu lutur Zojës së Bekuar të ndërhyjë që kardinali Tomash Shpidlik të shohë vërtet Fytyrën e Zotit:
“Shën Maria e Virgjër shoqëroftë shpirtin e vëllait tonë të nderuar në përqafimin me Trininë Shenjte, ku “me gjithë zemër” do të lëvdojë në amshim Dashurinë e pafundme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.