2010-04-19 13:30:25

U kremtua në Shkodër 150 vjetori i Seminarit “Zoja e Këshillit të Mirë”.


(19.4.2010 RV)Përvjetori i 150-të i Seminarit Papnor Shqiptar, këtë fund jave që shkoi u kujtua në Shkodër me kremtimin e Meshës së shenjtë, me një konferencë, një libër dhe një dhe një dokumentar kushtuar historisë së Kishës Katolike Shqiptare.
KONFERENCA IPESHKVNORE E SHQIPËRISË dhe kete komunikate per shtyp:

150 vjetori i krijimit te Seminarit Papnor Kombëtar dhe pesëvjetori i Zgjedhjes së Papë Benedikti XVI

Këto ditë në Shkodër është kremtuar 150 vjetori i themelimit të Seminarit Papnor kombëtar. Kremtimet e zhvilluara në qytetin e Shkodrës, ku gjendet edhe seminari, janë mbajtur në dy ditë: 16 prill, me përsiatje të ofruara nga meshtarë e ipeshkëvinj mbi figurën e meshtarit në Fshatin e Paqes; 17 prill, me praninë e Kardinalit Zenon Grocholewski, Prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik në ambientet e Seminarit. Me pas kardinali ka kryesuar, në Katedralen e Shkodrës, një kremtim eukaristik në të cilin kanë marrë pjesë të gjithë ipeshkëvinjë e vendit dhe të zonave shqiptare në Kosovë dhe Mal të Zi.
Me 18 prill kardinali ka kryesuar një meshë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë me rastin e 5 vjetorit të Pontifikatit të Benediktit XVI. Ne fillim të kremtimit Mons. Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkëvore të Shqipërisë, i ka drejtuar një përshëndetje kardinalit, duke ripërtërirë besnikërinë e Kishës së Shqipërisë ndaj Atit të Shenjtë, besnikëri e cila nuk ka munguar as gjatë persekutimit komunist. Në homelinë e tij kardinali ka kujtuar meshën e fillmit të Pontifikatit të Benediktit XVI dhe është ndalur në dy shëmbëllimet e peshkatarit dhe të bariut të ofruara edhe nga Ungjilli i të djelës. Kardinali ka ripërtërirë afërsinë ndaj Attit të Shenjtë në misionin e tij si bari i Kishës Universale. Në Shqipëri, ka kujtuar Prefekti i Kongregatës për Edukimin Katolik “...është synuar që nëpërmjet një ideologjie obskurantiste e veçnërisht nëpërmjet forcës të zhdukej nga zemrat e njerëzve Hyji, të asgjësohej tërësisht rëndësia e Atit të Shenjtë dhe e mësimit të tij. Dhe sot kam gëzimin e madh të shpreh së bashku me ju këtu në Tiranë mirënjohjen Zotit për dhuratën e Pjetrit dhe të pasardhësve të tij e veçanërisht sot për dhuratën që Hyji na ka bërë para pesë vjetësh, atë të Atit të Shenjtë Benedikti XVI dhe për të dëftuar gjithnjë bashkë me ju bashkimin e plotë dhe të gëzueshëm me Të. Në mënyrë të veçantë duam t’i shprehim solidaritetin tonë bijësor Atit të Shenjtë për faktin që këto kohët e fundit ka qenë objekt sulmesh të padrejta dhe të liga.”. Gjatë meshës janë drejtuar lutje për udhëtimin Apostolik të Papës në Maltë.
Tiranë, 19 prill 2010

Gjatë cerimonisë përkujtimore të 150 vjetorit të Seminarit, rektori i Seminarit Ndërdioqezan Shqiptar "Nëna e Këshillit të Mirë", Jezuiti At Azmando Ceccarelli tha mes tjerash."Ndryshimet shoqëroro-politike që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre 150 vjetëve kanë vënë në provë më shumë se një herë institutin e Seminarit Shqiptar, por... ai jo vetëm ka mbijetuar, por ka rigjetur gjallëri të re për të vazhduar misionin e vet,"
"Kremtimi i sotëm nuk është për ne vetëm një kujtim nostalgjik i të kaluarës, por rasti për një hov të ri drejt të së ardhmes, sepse për ne ndizet shpresa që të mund të sjellim praninë e Kishës në një vend ku botëkuptimi katolik bëhet tharm bashkësie, një vend shkëmbimi dhe dialogu me vëllezërit tanë Ortodoksë dhe afërsie me Myslimanët," tha Atë Ceccarelli, në fjalën e tij në konferencën shkencore për historinë e kishës.
Sipas rektorit të Seminarit Ndërdioqezan, prej shugurimeve të para meshtarake që janë bërë në vitin 2000 deri më sot, mund të numërojmë 22 meshtarë dioqezanë dhe 20 meshtarë rregulltarë shqiptarë, dhe të rinjtë të tjerë që kanë thirrjen meshtarake e rregulltare e që kanë mundësi të ndjekin, krejt apo pjesërisht, studimet e tyre në Filozofi e Teologji.
Programi i aktiviteteve kushtuar 150-të të Seminarit Ndërdioqezan të Kishës Katolike të Shqipërisë me seli në Shkodër, kanë vijuar me paraqitjen e librit “ Historia e Kishës Katolike në Shqipëri 1913-1996” me autor Markus W. E Peters ,që ishte një ngjarje e veçantë dhe e mirëpritur.
"Botimi i këtij libri në gjuhën shqipe... është një homazh për Kishën Katolike, e cila ndër shekuj qe gurrë qytetërimi evropian, kulture dhe simbol i mendimit të lirë dhe qytetarisë," tha drejtori i Institutit Filozofik dhe Teologjik, Dr. Mario Imperatori.
Më pas u bë edhe shfaqja e filmit dokumentar "Misionin i Ringjallur" përgatitur nga prifti shqiptar dom Nikë Ukgjini, administrator famullitar në Kukel, përmbajtja e të cilit përshkruante në detaje historinë disa vjeçare të klerit katolik dhe në veçanti të Jezuitëve në Shqipëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.