2010-04-19 13:51:43

Prof. Kamsi: roli i Seminarit pasqyrohet te ringjallja e Kishës dhe e vlerave kulturore


(19.4.2010 RV)Ju propozojmë intervistën e Radio Vatikanit (Programi shqip) me rastin e 150-vjetorit të Seminarit Papnor Shqiptar realizuar me prof. Willy Gjon Kamsin me telefon në datën 16 prill 2010.

    Domethania e përvjetorit.



Seminari Papnor Shqiptar përfaqëson ringjalljen e Kishës Katolike në dy periudha të veçanta të historisë së Shqipnisë. Për kedo janë të kjarta: si periudha e parë gjatë pushtimit turk, si e dyta me fundin e pushtimit komunist.
Ky përvjetor, prej nji shekulli e gjysmë, nuk âsht të përshkuemit e thjeshtë vetëm në pikëpamje historike i nji periudhe dhe nji eksperience të idhun të popullit shqiptar në përgjithësí dhe t’atij katolik në veçantí, por âsht kryesisht rivlerësimi dhe gjallënimi i vlerave të pazavendsueshme dhe jetëdhanëse të krishtenimit në nji truell ku ishte shfaqë qysh në kohët mâ të para nga apostulli i popujve, Shën Pali. Kështu që vepra e Seminarit përfaqësohet prej asaj morie priftnish që erdhën tue plotësue zbraztinat e lanuna gjatë nji pushtimi tejet retrograd e antikatolik.


    Roli që luejti Seminari Papnor në periudhën e vet.

 
Âsht e kjartë se roli i luejtun prej Seminarit u pasqyrue te ringjallja e Kishës, te afrimi i besimtarëve te të vërtetat e fesë së krishtenë, nëpërmjet punës së madhe misionare të nji kleri të dalun prej tij. Popullsí deri atëherë të zhytuna në padijen mâ të madhe mujten me nxanë themelet e katoliçizmit e me ju afrue Sakramendeve. Kështu deri katunde të shpërndame u banë me famullinë e tyne dhe me meshtarin që nuk e kishin pasë mâ përpara. Kjo vijoi prej themelimit të tij me 1859 e deri në ndalimin prej autoriteteve diktatoriale komuniste me 1946.


    Vështirësitë e prume nga turqit dhe komunistët.

 
Por udha e ndjekun nga Seminari nuk qe e lehtë. Pengesa të shumta e ndoqen për mâ se nji shekull. Tue fillue me turqit që e shkatrruen qysh në vjetin 1843. Ky kishte qenë marrë në dorë prej Etënve Jezuitë, me urdhën të Kongregacionit Shęjt “de Propaganda Fide”, dhe mbas kërkesës kambëngulëse të Ipeshkvit të Shkodrës Imzot Guglielmit.
Mbasi kaluen disa vjet prej shkatrrimit të Seminarit të mâparshëm Jezuitët ju kthyen idesë së ndërtimit. Punimet filluen me 7 fruer 1859 dhe me ardhjen në Shkodër të Atit Claudio Stanislao Neri zunë fill punimet për ndërtimin e këtij Seminari. Por ata që e kishin në mëní katoliçizmin e Kishën Katolike nuk u tërhoqën dhe e shkatrruen përsërí. Deri nji kangë popullore, që këndohej në Shkodër n’atë kohë, difton frymën që zotnonte në nji pjesë të Shkodrës. Thotë ajo kangë: Mori rajë e pa-besë, | A s’e njofte Hamz Kazazin | S’u len priftin me çue meshë | Tesh tri herë kishen ju çartë. Ndërhymja e Austrisë në hir të Kultus Protektorat-it, me dërgimin e flotës së vet luftarake te Gryka e Bunës, bani që orvatjet e turqve të deshtojshin. Dhe kështu Seminari e vijoi ndërtimin deri kur, po në vjetin 1859, u hapë dyert seminaristëve.
Tjetër moment tragjik në jetën e këtij Seminari qe pushtimi komunist i cili tue vendosë regjimin e tij terrorist, me vrasje të shumta, desht me e zhdukë atë qendër të fesë e të atdhetarizmit shqiptarë, nga e cila dolën emna të randësishëm që mbushën radhët e klerit katolik shqiptar, me nji kontribut në shęj edhe për kulturën shqiptare.
Komunizmi lëshoi ithtarët e vet, ushtarakë e jo të tillë, të cilët shkatrruen gjithçka ishte bâ thuejse në nji shekull jete të dobishme, n’ato momente kur prania e Kishës po ndihej edhe në skajet mâ të largëta të Vendit, aty ku kishte katolikë. Shkatrruen edhe arkiv e biblioteka, muzeun e famshëm natyror. Por ana mâ mizore e veprave të atij regjimi ka qenë vrasja në masë e klerit, tue mbërrijtë deri në gjenocid, e me vrasje që kufizojnë barbarinë mâ të madhe e që populli shqiptar kurr s’i kishte pá në historinë e vet.
Ndër rektorët e këtij Seminari dy pësuen vdekjen tue qenë të pafajshëm dhe përkatësisht Át Giovanni Fausti e Át Daniel Dajani, kurse Át Gjon Karma pau burg e kamp çfarosjeje.
Tue rishikue veprën në tanësí nuk mund të shmangemi të kemi parasysh të gjithë ata meshtarë të rij, që dhanë mdihmesën e tyne të çmueshme për rilindjen e Kishës Katolike në trojet tona e që pësuen in odium fidei, përndjekjen e egër komuniste. E nuk qenë pak. Sot janë 40 meshtarët dioçezanë, rregulltarët dhe laikët që presin procesin e lumnimit të tyne, tue qenë të gjithë martirë të asaj përndjekjeje. Por gjaku i tyne nuk u derdh kot sepse Sanguis martyrum âsht Semen Christianorum.


    Cilat janë figurat që kanë dalë prej Seminarit.


 
Qysh me 1909 përmenden Imz. Pręnk Doçi, Abati i Mirditës, e Dom Ndue Bytyçi, prift në Arkidioçezin e Shkupit. Por që të bajmë emna të tjerë na duket e pagjashme, mbasi secili prej seminaristëve që kanë studjue në Seminarin Papnor të Shkodrës âsht dallue si meshtar e si shkencëtar, tue i dhanë mâ të mirën e vetvetes si Kishës ashtu edhe Atdheut. Thirrja e atyne që pësuen martirizimin, në çastin e pushkatimit, pa përjashtim, ka qenë Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipnia! Dhe na jemi krenarë për klerin tonë që kurrnjiherë, edhe në çastin e fundit të jetës nuk mohoi as Fé e as Atdhé.
 
Willy Gjon Kamsi







All the contents on this site are copyrighted ©.