2010-04-19 17:26:41

Papa, Universitetit Katolik: edukimi duhet të jetë në shërbim të njeriut.


(19.04.2010 RV)Universiteti duhet të jetë një mjedis shpirtëror e kulturor, që impenjohet për të bërë kërkime shkencore e për t’i zhvilluar dhuratat e botës së krijuar: kështu shkruan Papa në një mesazh, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, me rastin e Ditës së 86-të të Universitetit Katolik të ‘Zemrës së Krishtit’, që u kremtua në Itali.
Në tekstin drejtuar kardinalit Dionigji Tetamanci, drejtor i Institutit Toniolo për studime të larta, nënvizohet kuptimi dhe roli i Universitetit Katolik në edukimin e breznive të reja. Një edukim – shkruhet më pas në mesazh – që duhet vënë gjithnjë në shërbim të njeriut, me aftësi të vërteta e të thella shkencore. Progresi i vërtetë – nënvizon Papa në mesazh – kërkon gatishmëri për ballafaqim e dialog, gjë që i hap horizonte të reja mendjes e dëshmon fekonditetin e pasur të trashëgimisë fetare. Kërkon, pra, vërtetësi, thënë me dashuri, që identiteti i krishterë të depërtojë në jetën e përditshme të njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.