Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë kërkon mbështetjen e Vatikanit për heqjen e
vizave dhe anëtarësimin në BE.
(19.4.2010 RV)Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli kërkoi mbështetjen
e Vatikanit për heqjen e vizave dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian
gjatë një takimi me Kardinalin Zenon Grocholevski, në mjediset Nunciaturës, Ambasadës
së Selisë së Shenjtë në Tiranë. Burime për shtyp nga Kuvendi bënë të ditur
sot, se Kardinali Zenon Grocholevski, Prefekt i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për
Edukimin Katolik e ekspert në fushat e legjislacionit dhe edukimit, shprehu kënaqësi
për zhvillimin dhe transformimet e dukshme, që janë realizuar në pak vite në Shqipëri.
Për kryeparlamentaren Topalli "mbështetja e Vatikanit gjatë gjithë këtyre viteve mbetet
shumë e vyer për të gjithë shqiptarët. Zëri i Vatikanit ka qenë gjithnjë një zë mbështetës
në çdo hap të zhvillimit të Shqipërisë". Kryetarja e Kuvendit dhe Kardinali
Grocholevski biseduan mbi vlerën e çmueshme të shqiptarëve: bashkëjetesën fetare,
të cilën Jozefina Topalli e konsideroi si një model unik në Evropë, dëshmi e një mendësie
të hapur dhe vizioni perëndimor të shqiptarëve. Edhe kardinali Grocholevski
tha se kjo vlerë e jashtëzakonshme e shqiptarëve është një vlerë që duhet ruajtur
e promovuar. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë tha se në këtë vit të 100-vjetorit
të lindjes së shqiptares së admirueshme botërisht, të Lumes Nënë Terezë, do të ishte
një kënaqësi e jashtëzakonshme ardhja e Papa Benediktit XVI, ftesë që i është përcjellë
Papës nga Kryeministri Berisha në Vatikan. Duke u ndalur në personalitetin
universal të së Lumes Nënë Terezë, Kardinali Grocholevski tha se, Nënë Tereza, është
ikonë e dashurisë së Zotit ndaj çdo njeriu e një figurë si kjo bamirëse me gjak shqiptar
do të ishte një krenari për çdo komb. (nga ATSH-ja)