2010-04-18 19:07:22

Mos kini frikë nga ata që u thonë të braktisni Ungjillin, i këshilloi Papa të rinjtë në La Valeta. Dëshmojeni me guxim dashurinë e Zotit për të gjithë.


(18.04.2010 RV)Żgħażagħ Maltin u Għawdxin, jien kuntent ħafna li ninsab maghkom
(Të dashur të rinj të Maltës e të Gocos, jam shumë i lumtur që gjendem mes jush)

Janë fjalët në gjuhën malteze, me të cilat Papa Benedikti XVI përshëndeti sot të rinjtë e mbledhur në portin e La Valetës, ku Ati i Shenjtë mbërriti pasdite me katamaran, pasi kishte kremtuar paradite Meshën Shenjte në Sheshin e Hambarëve në Floriana, ku tha edhe lutjen e Mbretëreshës Qiellore. Në mbrëmje, Papa u kthye në Vatikan, duke përfunduar kështu udhëtimin e tij të 14-të apostolik, i teti në kontinentin evropian, që e çoi për dy ditë në Maltë, me rastin e 1950-vjetorit të mbërritjes së Shën Palit Apostull në brigjet e ishullit mesdhetar.
Të rinjtë patën një takim shumë dinamik më Papën, i drejtuan atij pyetje, duke përfshirë të gjitha situatat e jetës së tyre, që nga besimtarët, tek të fejuarit e të martuarit, tek ata që dëgjojnë thirrjen e Zotit për t’u shuguruar e deri tek të rinjtë e abuzuar, apo tek ata që qëndrojnë larg Kishës për arsye të ndryshme. Duke paraqitur vështirësitë e kohës, të rinjtë e pyetën Benediktin XVI se ç’duhet të bënin për të gjetur zgjidhjet e duhura, në këtë epokë e shoqëri, që nuk i ndihmon si duhet.
E Papa u dha shembullin e Shën Palit, i cili fillimisht i luftonte të krishterët, derisa gjeti Zotin në rrugën e Damaskut dhe u bë një nga Apostujt e Krishtit. Zoti, u tha Benedikti XVI të rinjve, nuk refuzon askënd, por me dashurinë e Tij të madhe, fton secilin të ndryshojë e të përkryhet. Të gjithë atyre që dëshirojnë ta ndjekin Krishtin, Papa Racinger u përsëriti thirrjen, që qe karakteristikë e papnisë së Gjon Palit II, i cili pati shkuar tri herë në Maltë:
“Mos kini frikë! Sigurisht, do të gjeni njerëz, që e kundërshtojnë mesazhin e Ungjillit. Kultura e sotme, si çdo kulturë, promovon ide e vlera, të cilat nganjëherë janë në kundërshtim me ato, që jetoi e predikoi Zoti ynë Jezu Krisht. Shpesh, ato paraqiten me një fuqi të jashtëzakonshme bindëse, përforcuar nga mediat e nga presioni shoqëror i grupeve kundër fesë katolike… mos kini frikë, por gëzohuni për dashurinë e Zotit për ju; besojini, përgjigjjuni ftesës për t’u bërë dishepuj, gjeni ushqim e ndihmë shpirtërore në sakramentet e Kishës”.
Papa e udhëhoqi reflektimin e të rinjve drejt përmasës kulturore e shoqërore të fesë. Këtu në Maltë, u tha, jetoni në një shoqëri, të mbrujtur me fe e vlera të krishtera:
“Duhet të jeni krenarë, që atdheu juaj mbron si fëmijën e palindur akoma, ashtu edhe qëndrueshmërinë e jetës së familjes, duke i thënë “jo” abortit e divorcit. Ju bëj thirrje ta vazhdoni këtë dëshmi të guximshme për shenjtërinë e jetës, për rëndësinë e martesës e të jetës familjare për një shoqëri të shëndoshë. Në Maltë dhe në Goco familjet dinë si të vlerësojnë e të kujdesen për të moshuarit dhe të sëmurët, i presin fëmijët si dhuratë e Zotit. Kombet e tjera mund të mësojnë prej shembullit tuaj të krishterë”.
Në fund, Papa Racinger iu drejtua të rinjve që dëgjojnë thirrjen për jetën e shuguruar dhe i ftoi t’ia hapin zemrën Zotit e të vihen në shërbim të popullit të Tij, për ta çuar kudo Ungjillin e Krishtit. E nuk harroi t’u japë programin e jetës:
“Si të krishterë jemi të thirrur të dëshmojmë dashurinë e Zotit, që i përfshin të gjithë. Prandaj, duhet të ndihmojmë të varfërin, të brishtin, të mënjanuarin; duhet të kujdesemi veçanërisht për ata që ndodhen në vështirësi, që vuajnë nga depresioni, ose nga ankthi; duhet të kujdesemi për personat me të meta fizike e të bëjmë gjithçka mundemi për të promovuar dinjitetin dhe cilësinë e jetës së tyre; duhet t’u kushtojmë vëmendje nevojave të emigrantëve dhe të atyre që kërkojnë strehim në vendin tonë; duhet t’u shtrijmë dorën me miqësi besimtarëve e jo besimtarëve… Mos kini frikë të jeni miq intimë të Krishtit!”.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.