2010-04-17 16:27:46

Pesë vjet Papni: editorial i atë Lombardit


(17.04.2010 RV)Të hënën e ardhshme, më 19 prill, mbushen pesë vjet nga zgjedhja e Papës Racinger në Katedrën e Shën Pjetrit. Mbi temat e forta të këtyre pesë vjetëve të papnisë së Benediktit XVI, të dëgjojmë editorialin e atë Federiko Lombardit, për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:

“Koha kaloi me shpejtësi e ngjarjet qenë të shumta në këto pesë vjet, tashmë të kaluara, papnie. Për t’i lexuar korrektësisht, duhet të rikthehemi me mend në Kapelën Sikstine, mëngjesin pas zgjedhjes, kur Papa i ri pranonte trashëgiminë shpirtërore të paraardhësit të tij të madh e tregonte përparësitë, që do ta drejtonin shërbimin e tij ‘në vreshtin e Zotit’. Lidhja e njeriut me Zotin, e zbuluar nga Jezu Krishti, që takohet posaçërisht në Eukaristi, në kultin e Kishës. Impenjimi ‘pa i kursyer energjitë’ për të rimëkëmbë ‘bashkimin e plotë e të dukshëm të të gjithë ndjekësve të Krishtit”. Dëshira për t’iu përgjigjur ‘kërkesës për ndihmë nga ana e njerëzimit bashkëkohor i cili, i tronditur nga paqartësitë e nga frika, shqetësohet për ardhmërinë e vet’. Dialogu ‘i hapur e sinqertë’ me besimtarët e feve të tjera e me ata, që presin thjeshtë përgjigje për pyetjet themelore të jetës, në kërkim të së mirës së vërtetë të njeriut e të shoqërisë. Nuk ka dyshim që këto ishin e janë përparësitë reale të papnisë. Të ndjekura me koherencë e guxim, në rrethana shpesh të ngarkuara me tensione e pengesa. Veç Benedikti XVI thoshte se nuk dëshiron të punojë për shkëlqimin e dritës së vet, por për atë të Krishtit. Aushvic, Stamboll, Nju Jork, Sidnei, Paris, Afrikë, Jeruzalem. Sinagoga e xhami, enciklika mbi dashurinë e krishterë, mbi shpresën, mbi etikën në zhvillim, në ekonomi e në respektim të ambientit. Një bilanc i pasur e i begatë, në shërbim të Zotit e të njerëzimit. Një udhë për t’u vijuar me kurs të sigurtë".







All the contents on this site are copyrighted ©.