2010-04-16 17:58:55

Vizita e Papës në Maltë: gëzimi i presidentit Xhorxh Abela dhe i kryeipeshkvit Paul Kremona


(16.04.2010 RV)Nesër pasdite, Papa niset për në Maltë. Është udhëtimi i tij i 14-të ndërkombëtar, i teti në kontinentin evropian. Vizita e shkurtër apostolike, që do të përfundojë të dielën, bëhet me rastin e 1950-vjetorit të mbytjes së anijes së Shën Palit Apostull në ishullin mesdhetar. Për atmosferën e pritjes, të dëgjojmë të dërguarin e Radio Vatikanit në Maltë, Alesandro de Karolis:
“Vajza e ulur në trotuar sëbashku me të ëmën kthen ngadalë faqen me ngjyra të asaj, që duket si revistë për fëmijë dhe, imazhi që shihet është ai i Benediktit XVI, që buzëqesh. Skena, vetëm pak orë para mbërritjes së Papës, i jep gjallëri një rrugëze plot pluhur të Rabatit, vend ku gurë të lashtë, pranë detit, ruajnë shpellën e vogël, në të cilën 1950 vjet më parë Shën Pali, i përplasur nga stuhia në breg, ndezi shkëndijën e parë të fesë në Maltë. Gjithçka që lidhet me ardhjen e personazhit të nderuar, shoqërohet me thjeshtësi. Fotografitë, stemat e Vatikanit nuk të bien shumë në sy, si për t’i thënë botës se ngrohtësia, dashuria për Papën nuk ka nevojë për bujë. Në fund të fundit, për banorët e ishullit, katolicizmi i të cilëve dëshmohet nga 365 kisha – “një për çdo ditë të vitit”, siç thonë me krenari – Shën Pali është diçka më shumë se Apostulli i Popujve, që njihet nga të gjithë. Këtu nderohet si “atë” nga 413 mijë katolikë, 95% e popullsisë.
Nga Rabati, për gjysëm ore arrihet në La Valetë dhe në Floriana, qyteza të fortifikuara, pranë njëra-tjetrës, ku po punohet për të përfunduar përgatitjet e mikpritjes së Benediktit XVI. Zbukurohet elteri i madh para Kishës së Shën Publiusit në sheshin e Hambarëve, ku dikur romakët mblidhnin grurin, ndërsa angloamerikanët rezervat ushqimore të luftës, e ku të dielën, Papa do t’i flasë zemrës së maltezëve, gjatë kremtimit të Meshës. E zien edhe porti i Kalkarës, ku të dielën pasdite, Ati i Shenjtë do të rijetojë simbolikisht mbërritjen e Shën Palit në Maltë, duke përshkuar me katamaran 3 milje detare deri në Portin e Madh të La Valetës, vend i takimit me të rinjtë.
Ngjarjet do të tregohen nga 200 gazetarë të huaj e rreth 60 televizione, pjesa më e madhe e të cilëve është tashmë në punë. Nëpër rrugë do të shërbejnë 1800 policë. Ndërkaq, Kisha malteze – lajmërojnë gazetat e sotme – i përgatit Papës një suprizë të këndshme: 5 mijë fëmijë do t’i këndojnë “Urime për ditëlindjen”, menjëherë pas vizitës tek Presidenti i Republikës. Një shenjë feste, por sidomos pafajësie në një periudhë, kur edhe në Maltë flitet për abuzimet seksuale të klerit me fëmijët. Por këtu e dinë mirë nga historia e tyre se nga era e kundërt, nga stuhitë e mbytjet, Zoti di të mbjellë farën e Ungjillit”.
Të dëgjojmë presidentin e Maltës, Xhorxh Abela:
Jemi shumë të kënaqur, jemi entuziastë për vizitën e Atit të Shenjtë këtu, në Maltë, në këtë kohë të veçantë për Papën e për ishullin tonë. Është vërtet një gjurmë mbi vlerat tona, bazuar në fenë katolike. Është një rast i jashtëzakonshëm, një gëzim i vërtetë.
“Na duhet të ndeshemi patjetër në një ujdhesë”. Me këto fjalë, të marra nga Veprat e Apostujve, ipeshkvijtë e Maltës kanë vendosur të sintetizojnë frymën që përshkon vizitën e Benediktit XVI në ishullin e Mesdheut. Fjalët, që janë të Shën Palit, përshkruajnë çastet pak para mbytjes, që në vitin 60 pas Krishtit, e çon Apostullin e Popujve të themelojë në brigjet malteze, bashkësinë e parë të krishterë. Një bashkësi, që po përgatitet prej muajsh të presë Papën. Siç na thotë kryeipeshkvi i Maltës, imzot Paul Kremona:
Popullsia mezi e pret vizitën e Papës në Maltë; në veçanti, Kisha u ka kërkuar besimtarëve, me Letrën baritore të ipeshkvijve, ta presin ashtu siç kanë bërë maltezët me Shën Palin gati 2 mijë vjet më parë: e pritën me dashuri dhe me mikpritje. E ne e kemi përgatitur shpirtin e maltezëve për ta kuptuar mesazhin e Benediktit XVI, që ta përçojnë pastaj, pas largimit të Atit të Shenjtë, në jetën e Kishës e të shoqërisë.
Në Letrën që përmendët, keni shkruar: “Sot Kisha lundron në ujra të trazuara…ndokush dëshiron ta shuajë zërin profetik të Papës”. Mesazhi i ipeshkvijve, si barinj të Kishës, është plot dhimbje e pendesë për ngjarjet e abuzimeve me të vegjëlit, që kanë ndodhur edhe këtu, në Maltë…
Po: kjo është një nga gjërat e para që kemi thënë. Sëbashku me Papën, në përkim me Letrën e tij drejtuar besimtarëve irlandezë, kemi shprehur shqetësimin e ankthin tonë, sidomos dhimbjen për viktimat e abuzimeve. Që prej 11 vjetësh tashmë, kemi një skuadër, së cilës mund t’i drejtohen të gjithë ata që kanë sinjalizime për abuzime. Kjo skuadër ka për detyrë të hapë hetime. Kemi shkruar edhe se do të bëjmë ç’është e mundur për t’i eliminuar këto abuzime nga Kisha dhe u kemi bërë thirrje të gjithë maltezëve: kush di për ndonjë abuzim të vijë tek ne e të na ndihmojë ta shkulim këtë rrënjë të keqe, këtë mëkat e krim.







All the contents on this site are copyrighted ©.