Më 16 prill kalendari kishtar përkujton Shën Bernadetën Subirù, virgjër
(16.04.2010 RV)Sot më 16 prill kalendari i Kishës katolike përkujton Shën Bernadetën
Subirù, bijë e një mullisi të varfër, lindur në Lurdë, ndërmjet Pirenejve. Më 11 shkurt
të vitit 1858 në shtëpinë e saj ishin djegur të gjitha drutë. Duhej të shkonte në
mal për të bërë të tjera. Por përjashta binte shi i rrëmbyer. Ishte gati e pamundur
të bridhje nëpër pyll. Atëherë vajza shkoi në Shpellën e Masabielës,
ku barinjtë e vegjël mblidhnin shpesh degë të thata. Papritmas ndjeu një fëshfërimë
të lehtë gjethesh, që e bëri të ngrinte kokën në drejtim të Shpellës. Pa një Zonjë
me fytyrë të ndritshme e me buzë në gaz. Ishte e veshur krejt me të bardha e një brez
i kaltër ia shtrëngonte lehtë përmjetin. Këmbët i kishte të zbathura, në sa në krahun
e djathtë mbante një rruzare me kokrra të bardha, përshkuar në një fill ngjyrë ari.
- Kush je ti? - e pyeti. Po ajo nuk u përgjigj. E vajza u kthye disa herë, e
disa herë ia përsëriti pyetjen, derisa mori përgjigjen: "Unë jam Zoja e Papërlyer”.
Mrekullia e dukjes së parë, të cilën Bernardeta e përjetoi në një gjendje absolute
ekstaze, u pasua nga 17 dukje të tjera, deri më 17 korrik 1858. Pas këtyre dukjeve,
Bernardeta kaloi gjashtë vjet në Institutin e Motrave të Mëshirës të Neversit, ku
kreu edhe periudhën e rishtarisë. Kjo periudhë zgjati më shumë se duhej, për shkak
të shëndetit të saj të ligsht. Bëri, më pas, kushtet e përjetshme duke ndërruar
edhe emrin: u quajt Motër Maria Bernarda. Vdiq në moshën 35 vjeçe, më 16 prill 1879.
Më 8 dhjetor 1933 Papa Piu XI e lartoi në nderimet e elterit.