2010-04-15 12:30:31

Çelësi i fjalëve të Kishës: "mrekullia"


(15.04.2010 RV)RealAudioMP3 Jo më larg se nesër, Kisha Katolike kremton festën e Shën Bernadetë Subiru, jeta e së cilës është e lidhur pazgjidhshmërisht me dukjen e Zojës në Lurdë. Vajza e vogël 14 vjeçare ishte dëshmitarja e kësaj mrekullie, që i dha jetë shtegtimeve të shumta të besimtarëve në Lurdë e shërimeve të pashpjegueshme, pasi të sëmurët pinin nga burimi i Lurdës. Mrekulli të tjera këto! Por, si i kupton krishterimi mrekullitë dhe ç’u thonë ato të krishterëve?
Kësaj fjale, fjalës “mrekulli” do t’ia kushtojmë emisionin e sotëm, duke kujtuar se të vetmet gjëra që kërkoi Virgjëra Mari, e cila i tha Bernadetës se është “Zoja e Papërlyer”, qenë lutja e pendimi.

31% e tekstit të Ungjillit të Shën Markut flet për mrekullitë e Jezusit. Por, prania e ngjarjeve të mrekullueshme përshkon krejt Biblën, si shenjë e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Zotit në historinë e njerëzimit e të gjithësisë. Sigurisht që në shumë raste – të mendojmë, për shembull, për kalimin e Detit të Kuq nga izraelitët (Ek 14-15) – kemi ndoshta një vizion të lashtë, sipas të cilit shihet dora e Zotit edhe kur kemi të bëjmë me fenomene natyrore, ose ndërmjetëse. Në rastin që përmendëm, të eksodit nga Egjipti, kemi të bëjmë ndoshta me ritmin e baticës e të zbaticës.
Në raste të tjera, ekziston prirja për ta kuptuar sëmundjen si vepër djallëzore e këtu përfshihen përmasa të tjera, që i reduktojnë disa mrekulli në ezorçizëm. Nga ana tjetër, sidomos në historinë e Jezu Krishtit, mrekullia është diçka e padiskutueshme, e njohur edhe nga kundërshtarët e vet (Mt 12,22-30; Mk 3,22-30). Termat me të cilat Ungjijtë përkufizojnë këto ngjarje, që nuk u binden ligjeve të natyrës, janë të shumta: ato janë “térata”, pra “mrekulli” që mahnisin (e tillë është edhe fjala latine “miraculum”, që presupozon “admirimin e mahnitur”), por sidomos këto ngjarje janë “dynàmeis”, pra akte të pushtetit hyjnor, që zbulohet në Krishtin, “erga”, apo “vepra” trashendetale, dhe “seméia” apo “shenja”.
Pikërisht kjo fjalë e fundit, shumë e dashur për Shën Gjonin Ungjilltar, është e rëndësishme për të kuptuar funksionin e vërtetë të mrekullisë, që nuk është thjesht një akt spektakolar, magjik, reklamues, pasi shpesh Jezu Krishti bën mrekulli i mënjanuar nga turma, duke u kërkuar të pranishmëve të mos tregojnë. Mrekullia është më tepër një mesazh në veprim. Për ungjilltarët, mrekullitë e Krishtit janë shenjë e hyjnisë së Tij, ose përshkrim i misterit, që përmbante në vetvete si Zot e Shëlbues. Ato janë shfaqje të shpëtimit e shëlbimit, janë shenja, që kanë kuptim trashendental dhe të lartë e jo thjesht shërime, apo akte të bujshme.
Për këtë arsye, Ungjijtë janë më të përmbajtur në përshkrimin e “asaj që ndodhi”, në krahasim me tregimet e tjera folklorike mbi mrekullitë, por përqëndrohen në “atë që thotë” gjesti i Jezusit. Në këtë dritë, ngrihet në qiell përmasa e brendshme, e mistershme e asaj ngjarjeje, në funksionin e çlirimit nga e keqja, duke përvijuar veprën e përgjithshme të Krishtit e fitoren e tij mbi të keqen e mbi Djallin, si edhe vendosjen e Mbretërisë së Zotit, që pason.
Pra, është e qartë se analiza historike mund të arrijë deri te regjistrimi i një fenomeni të jashtëzakonshëm, duke u përpjekur të vlerësojë vërtetësinë e tij historike, por nuk mund t’i japë kurrë atij cilësinë e “mrekullisë”. Kjo dëshmi i takon horizontit teologjik dhe përvojës së fesë e nuk ka për qëllim t’i detyrojë njerëzit të besojnë, por ta bëjë të dukshëm e të frytshëm aktin e ndërhyrjes së Zotit në gjithësi e në histori. Synimi i mrekullive nuk është aq afirmimi i një feje apo i një personazhi, por kthimi personal në rrugën e Zotit, feja e çlirimi nga e keqja.







All the contents on this site are copyrighted ©.