2010-04-15 14:23:06

Nunci Apostolik në Maltë mbi shtegtimin e Papës Benedikti XVI në ishull


(15.04.2010 RV)Të shtunën, Papa Benedikti XVI do të shkojë për dy ditë në Maltë, me rastin e 1950-vjetorit të shpëtimit të Shën Palit Apostull nga mbytja. “Është një privilegj” komenton për agjensinë katolike ZENIT, Nunci Apostolik në Maltë, imzot Tomazo Kaputo. “Është shtegtim në zanafillën e fesë, që bëhet në prag të 5-vjetorit të zgjedhjes së Benediktit XVI në Katedrën e Shën Pjetrit. Një përkim domethënës dhe providencial”.
Malta është tokë apostolike e në këtë kuptim, shpjegon Nunci, është një hallkë e rëndësishme e dëshmisë së krishterë, që fillon pikërisht me Apostujt. Jehona e Vitit Paolin ndihet akoma e tani, edhe përvjetori i mbytjes së anijes së Apostullit të Popujve. Papa vjen për ta ndihmuar Kishën dhe shoqërinë malteze të reflektojnë mbi këto kohë shndërrimesh, me ritme më të shpejta këtu, se në vende të tjera. Vjen, të kërkojmë sëbashku rrugët më të drejta e më të përshtatshme për t’iu përgjigjur sfidave të kohëve të reja.
Vizita është përgatitur mirë si nga ana e Kishës, ashtu edhe nga ana e shtetit. Marrëdhëniet ndërmjet tyre, thekson imzot Kaputo për agjensinë ZENIT, kanë qenë gjithnjë shumë të mira e jo thjesht formale. Malta është e pasur me institucione edukative dhe asistenciale. Mund të thuhet se është “toka e bamirësisë”. Shpesh në bazën e kësaj përhapjeje të jashtëzakonshme, qëndron bashkëpunimi ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile. Urdhëri kishtar i Maltës është pikë referimi, e jo vetëm për Ishullin. Nuk duhet harruar se feja katolike njihet këtu si fe shtetërore dhe është traditë tashmë, që presidentët e republikës, në fillim dhe në mbarim të mandatit, të shkojnë në audiencë tek Ati i Shenjtë.
Më pas, Nunci Apostolik përshkruan rolin që ka Malta në Bashkimin Evropian dhe kontributin e saj në përçimin e vlerave e të rrënjëve të krishtera. Ishulli është vërtet i vogël, në krahasim me vende të tjera, por pesha e tij historike është e madhe. Vetë Benedikti XVI vjen këtu në gjurmët e Shën Palit, shpjegon imzot Kaputo, gjë që konfirmon identitetin e lashtë të krishterë të Maltës, dëshmia e të cilit vazhdon edhe sot, ndoshta i ndihmuar nga pozicioni gjeografik i ishullit. Malta është natyrshëm tokë mikpritëse, dialogu e bashkëjetese paqësore ndërmjet popujve e kulturave të ndryshme. Në këtë kuptim, jo vetëm Malta, por të gjitha vendet e Mesdheut, thekson në përfundim Nunci Apostolik, mund të luajnë një rol të rëndësishëm si ura për të globalizuar edhe vlerat e jo vetëm tregjet.







All the contents on this site are copyrighted ©.