2010-04-15 10:27:33

Gjatë prillit e qershorit, Kisha do të shpallë shtatë të lum të rinj, ndërmjet të cilëve, atë Jerzy Popieluszko, martir i regjimit komunist në Poloni.


(15.04.2010 RV)Gjatë muajve prill e qershor 2010, Kisha do të shpallë shtatë të lum të rinj, ndërmjet të cilëve, atë Jerzy Popieluszko (Jerzhi Popielushko),viktimë e regjimit filosovjetik. Njoftimin e dha Zyra e Kremtimeve Liturgjike të Papës, që komunikoi sot kalendarin e riteve të ardhshme të lumnimit.

Në jetën e të lumëve të rinj, devocioni, bamirësia, vuajtja e dashuria apostolike lidhen gjithnjë me dritën e Ungjillit. Udhë martirizimi është ajo e atë Jerzhi Popielushkos (1947-1984), kapelan i lëvizjes ‘Solidarnosh’, që u mbyt mizorisht gjatë regjimit komunist, në Poloni. Riti i lumnimit do të kremtohet në Varshavë, më 6 qershorin e ardhshëm. Martir i fesë dhe i lirisë, i nxiste gjithnjë bashkatdhetarët e tij të rebeloheshin në mënyrë paqësore kundër diktaturës, në emër të Ungjillit. “Njeriu që dëshmon të vërtetën – thoshte atë Popielushko - është njeri i lirë, edhe në pranga”.

I pari, që do të shpallet i lum, të dielën e ardhshme, në Katedralen e Valadolid-it, do të jetë Bernardo Francisco de Hoyos (1711-1735). Meshtar i shoqërisë së Jezusit, vdekur nga tifoja në moshë të re, 24 vjeçare, pati si mision të përhapte në Spanjë devocionin për Zemrën e Krishtit.

Më pas, më 25 prill, në Bazilikën romake të Shën Gjonit në Lateran, do të kremtohet riti i lumnimit i Angelo Paoli-t (1642-1720), meshtar i Urdhërit të Karmelitanëve, që njihej si ‘Ati i të varfërve’ e që ia kushtoi gjithë jetën ‘Eukaristisë e bamirësisë’. Siç pati thënë Gjon Pali II, në vitin 1999, qe edhe themelues ‘ante litteram della Caritas’ në lagjen Monti”. Ishte i pari, që lartoi Kryqin në Koloseum, duke u bërë nismëtar i kremtimit të Udhës së Kryqit në amfiteatrin romak.

Gjithnjë të dielën, më 25 prill, në Bazilikën e Santa Maria del mar, në Barcelonë, do të shpallet i lum Josè Tous y Soler (1811-1871), themelues i Institutit të Motrave Kapuçine të Nënës së Bariut Hyjnor. Vdiq në sa kremtonte Meshën Shenjte, pasi kishte shqiptuar këto fjalë: “Shikoje me sytë e tu të butë e të mëshirshëm ofertën tonë; pranoje, ashtu si i pranove dhantitë e Abelit, të drejtit…”. Pikërisht në këtë çast u përkul e dha frymën e fundit.

Në solemnitetin e Rrëshajëve, të shtunën, më 22 maj, në Bazilikën e Shën Marisë së Hireve të Beneventos, do të kremtohet riti i lumnimit të Teresa Manganiello (1849-1876). Ndonëse e pashkollë, i dha shtytjen kryesore përhapjes së Lëvizjes Terciare Françeskane në Irpinia e në Sanino. Thirrej, me dashuri, “analfabetja e ditur”, sepse kujdesej për të gjithë njerëzit nevojtarë, që takonte.
 Të dielën, më 30 maj, në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, do të shpallet e lume Maria Pierina De Micheli (1890-1945). Rregulltare e Kongregatës së Bijave të Zojës së Papërlyer të Buenos Ajres, iu kushtua me gjithë zemër përhapjes së devocionit për Fytyrën e Shenjtë të Jezusit. Në ditarin e vet shkruan se kishte ndjerë një nevojë të pakundërshtueshme për të jetuar sa më e bashkuar me Jezusin e për ta dashur me gjithë zemër, me bindjen se vdekja s’është gjë tjetër, veçse kalimi nga jeta, në dashurinë e Krishtit.

Të shtunën, më 12 qershor, në Linares të Spanjës, do të mbahet kremtimi i lumnimit të Manuel Lozano Garrido-s (1920-1971). Gazetar e shkrimtar, invalid, gjithnjë mbi ndenjësen me rrota, e edhe i verbër, u dallua për frymën e dashurisë së pafundme ndaj Eukaristisë e Zojës së Bekuar. “Duke dashur të isha gazetar - lexojmë në një nga letrat e tij - nuk hyra në shkollë; duke ëndërruar të bëhem apostull i vogël, nuk munda më të ec. E megjithatë, idealin tim e thirrjen time i kam ende përpara, me një begati, të cilën nuk kam mundur kurrë as ta ëndërroj!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.