2010-04-15 15:35:02

Do të kthehen nga Gjermani 14.000 kosovarë pa leje të rregullt qëndrimi


(15.4.2010 RV)Gjermania e Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen për kthimin e 14 mijë kosovarëve refugjatë që e kanë braktisur vendlindjes nga konflikti i armatosur me Serbinë në fund të viteve 1990-ta.
Ministri gjerman i Punëve të Brendshme Thomas de Maiziere dhe homologu i tij nga Kosova, Bajram Rexhepi nënshkruan dje dy marrëveshje bilaterale gjermano kosovare. Njëra prej tyre ka të bëjë me kthimin e ish refugjatëve dhe personave që kapen ilegalisht, tjetra me bashkëpunimin për luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e terrorizmit.
Në Gjermani jetojnë afro 14.000 kosovarë pa leje të rregullt qëndrimi, ndërsa çdo muaj parashtrojnë kërkesë për azil mbi 100 të tjerë. Pjesa dërrmuese e ish refugjatëve janë me prejardhje rome, kthimi i detyrueshëm i të cilëve është bërë vazhdimisht shkak për protesta nga ana e organizatave joqeveritare.
Dy marrëveshjet do të hyjnë në fuqi pasi të jenë ratifikuar nga parlamentet përkatëse dhe janë marrëveshjet e para bilaterale ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës. Ministri Rexhepi para gazetarëve ka theksuar nevojën për vazhdimin e mbështetjes së shtetit gjerman në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin evropian. Ai ka riafirmuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për përmbushje të kritereve që kërkohen për të implementuar agjendën evropiane për vendin. "Republika e Kosovës po ndërton vazhdimisht kapacitetet e saja dhe është e përkushtuar që të marrë obligimet si shtet", ka thënë Rexhepi.
Nga ana e tij Ministri gjerman Maiziere, ka konfirmuar mbështetjen e Qeverisë së tij për Qeverinë e Kosovës për riintegrimin e personave të riatdhesuar përmes ofrimit të projekteve zhvillimore, mbështetjes në fushën e sigurisë, bashkëpunimit policor etj, gjithnjë me qëllim të afrimit të Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.