2010-04-15 15:34:02

Benedikti XVI Komisionit Biblik: njeriu është i lirë të kundërshtojë diktaturën e konformizmit, vetëm kur i bindet Zotit.


(15.04.2010 RV)RealAudioMP3 Primati i bindjes ndaj Zotit dhe domethënia e vërtetë e pendesës dhe e faljes në jetën e të krishterëve: për këtë foli sot në mëngjes Benedikti XVI, në Meshën e kremtuar në Kapelën paoline në Vatikan, sëbashku me anëtarët e Komisionit Papnor Biblik.
Papa, i cili mbajti homelinë pa letër, citoi fjalët e Shën Pjetrit para Sinedrit: “Duhet t’i bindemi Zotit e jo njerëzve”. Pikërisht kjo bindje, i jep Apostullit të drejtën për të kundërshtuar edhe institucionin më të lartë fetar. Në të njëjtën mënyrë, pati vepruar filozofi i madh, Sokrati para Gjykatës së Athinës, e cila i ofron lirinë me kusht që të mos e kërkojë më Zotin. Sokrati nuk mund t’u bindej gjykatësve, nuk mund ta blinte në këtë mënyrë jetën e vet, duke humbur shpirtin. Është pikërisht bindja ndaj Zotit, ajo që na jep lirinë – theksoi Papa. Në të kundërt, në kohët moderne, është teorizuar çlirimi i njeriut, edhe nga kjo bindje: njeriu është i lirë, i pavarur dhe asgjë tjetër:
“Por kjo autonomi është e rreme, është gënjeshtër ontologjike, pasi njeriu nuk ekziston prej vetes e për veten; është gënjeshtër politike e praktike, sepse bashkëpunimi dhe bashkëndarja e lirisë është e nevojshme e, nëse Zoti nuk ekziston, nëse Zoti nuk është një instancë e prekshme nga njeriu, si instancë më e lartë mbetet vetëm konsensusi i shumicës. Ky konsensus bëhet fjala e fundit, së cilës duhet t’i bindemi dhe, e dimë nga shekulli i kaluar, se ky mund të jetë edhe konsensus i së keqes. Kështu pra, shikojmë se e ashtuquajtura autonomi nuk e çliron njeriun”.
Diktaturat kanë qenë gjithnjë kundër bindjes ndaj Zotit, nënvizoi Papa:
“Diktatura naziste, ashtu si ajo marksiste, nuk mund të pranojnë një Zot mbi pushtetin ideologjik dhe, liria e martirëve, që e njohin Zotin… është gjithnjë akti i çlirimit, përmes të cilit liria e Krishtit arrin tek ne”.
Sot, falë Zotit – vazhdoi Benedikti XVI – nuk jetojmë në diktaturë, por ekzistojnë edhe forma shumë të stërholluara diktature:
“Konformizmi, sipas të cilit është e detyrueshme të mendojmë siç mendojnë të gjithë, të veprojmë siç veprojnë të gjithë, si edhe sulmi i stërholluar ose jo kundër Kishës tregojnë se si ky konformizëm mund të shndërrohet në diktaturë të vërtetë”.
Për të krishterët – shtoi Benedikti XVI – t’i bindesh më shumë Zotit se sa njerëzve, presupozon ta njohësh vërtet Hyjin e të duash t’i bindesh vërtet. Do të thotë të mos e përdorim Zotin për të justifikuar vullnetin tonë, por ta lemë që Ai të na çojë edhe drejt martirizimit, nëse është e nevojshme:
“Ne sot, kemi shpesh frikë të flasim për jetën e amshuar. Flasim për gjëra të dobishme për botën, tregojmë se krishterimi ndihmon në përmirësimin e saj, por nuk kemi guxim të themi se qëllimi i tij është jeta e amshuar dhe se nga ky qëllim vijnë pastaj kriteret e jetës”.
Duhet të kemi guximin, gëzimin, shpresën e madhe se jeta e amshuar ekziston, se është jeta e vërtetë dhe se nga kjo jetë e vërtetë vjen drita, që shndrit botën - nënvizoi Papa.
Në këtë perspektivë, Ati i Shenjtë foli për pendesën, e cila është hir – tha Papa Racinger – sepse kështu e njohim mëkatin tonë, pranojmë se kemi nevojë të ndryshojmë, të përtërihemi e të shndërrohemi:
“Duhet të them se ne të krishterët, edhe kohët e fundit, e kemi shmangur shpesh fjalën “pendesë”, që na duket tepër e ashpër. Tani, nën sulmin e botës, që na flet për mëkatet tona, shikojmë se pendesa është hir dhe e nevojshme, na bën të njohim gjithçka të gabuar në jetën tonë. Na bën t’ia hapim zemrën faljes, të përgatitemi për faljen, të shndërrohemi. Dhimbja e pendesës, pra e pastrimit dhe e shndërrimit, kjo dhimbje është hir, pasi është përtëritje, është vepër e Mëshirës Hyjnore”.
Të lutemi, përfundoi Benedikti XVI, që emri ynë të bëjë pjesë në emrin e Zotit dhe jeta jonë të bëhet jetë e vërtetë, jetë për amshim, dashuri dhe vërtetësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.