2010-04-14 16:11:18

Siguri më e madhe bërthamore në botë. Marrëveshje në Uashington mes 47 vendeve.


(14.04.2010 RV)Ndërsa bashkësia ndërkombëtare diskuton mbi sanksionet e mundshme kundër programit atomik të Iranit, Republika islamike denoncon zyrtarisht në OKB për shantazh, presidentin amerikan Barak Obama. Ky i fundit ishte dje protagonisti kryesor i marrëveshjes së arritur ndërmjet 47 vendeve, që morën pjesë në Takimin mbi sigurinë bërthamore në Uashington, organizuar nga Shtëpia e Bardhë.
Në dokumentin përfundimtar, parashikohen kontrolle më të mëdha për materialin bërthamor, që mund të përdoret për bomba, si edhe luftë kundër trafikut klandestin të uraniumit dhe plutoniumit. Uashingtoni dhe Moska dhanë dje shembullin personal, duke nënshkruar një marrëveshje, me të cilën impenjohen të zvogëlojnë sasinë e plutoniumit për qëllime ushtarake deri në 34 ton për çdo vend. E Rusia deklaroi se do të mbyllë impiantin e fundit për prodhimin e plutoniumit. Takimi i ardhshëm do të bëhet pas dy vjetësh në Korenë e Jugut, mesazh i qartë për Korenë e Veriut, e cila është një hap nga prodhimi i bombës atomike. A janë të realizueshme impenjimet e marra? Të dëgjojmë opinionin e një eksperti italian të energjisë bërthamore, Xhorxho Alba:RealAudioMP3
Është një objektiv i realizueshëm, ambicioz. Në veçanti, dëshiroj të vë në dukje se të njëjtat veprimtari për sigurimin e materialeve bërthamore dhe të gjitha impenjimet e tjera që dolën nga Takimi, përkojnë me hapat e nevojshme për një botë të lirë nga armët bërthamore.
Ekziston rreziku që grupe tërroristësh të zotërojnë armë bërthamore? Pyetëm pedagogun e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Padovës, Antonio Papiska:
Rreziku është real dhe natyrisht është rritur gjatë viteve të fundit. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është i vetëdijshëm për këtë. Në prill të vitit 2004 miratoi rezolutën 1540, kushtuar temës së armatimit bërthamor, për të parandaluar rënien e armëve bërthamore e të shkatërrimit në masë në duart e terroristëve, të kriminelëve e të personave të tjerë jo shtetërorë. Rreziku është rritur, pasi terrorizmi është përhapur, strukturuar dhe ka mjete të rëndësishme, falë edhe tenologjisë. Prandaj është i nevojshëm plani i punës, që u përcaktua në Takim. Një pjesë e impenjimeve ka të bëjë me bashkëpunimin ndërkombëtar, pjesa tjetër me atë që duhet të bëjnë shtetet në shtëpinë e tyre për sigurinë bërthamore.







All the contents on this site are copyrighted ©.