Sot më 13 prill Kisha përkujton Shën Martinin I, papë e martir.
(13.04.2010 RV)Duke shfletuar kalendarit, sot më 13 prill, Kisha përkujton
shën Martinin I, papë. Emri Martin, që do të thotë ‘i kushtuar Martit’ (perëndi pagane)
dëgjohet në të katër anët e botës: ndër bretonë Marzhin; tek katalanët Martí, ashtu
si tek malësorët tanë të veriut; çekët: Martin; francezët: Martin; galezët Marthin;
grekët: Μάρτην; anglezët: Martin, letonët: Mārtiņš; Limburgezët Martčng; holandezët
Maarten; portogezët Martim, Martino; spanjollët Martín; gjermanët Martin; hungarezët
Márton; në latinishte shqiptohet Martinus, në esperanto Martino. Shën Martini I,
papë, që sipas Martirologut Romak kremtohet sot, lindi në Todi të Italisë në shekullin
V – vdiq në Krime më 16 shtator 655. Martini, diakon i Kishës romake, u zgjodh
në fronin papnor pas vdekjes së papës Teodori (13 maj 649) dhe nisi menjëherë ta drejtojë
me dorë të hekurt timonin e barkës së Shën Pjetrit. Për zgjedhjen e tij nuk e kërkoi,
e as s’e priste, miratimin e perandorit bizantin Kostancit II i cili, një vit më parë,
kishte shpallur Tipin, dokument në mbrojtje të tezës heretike të monotelitëve. Për
t’i prerë rrugën përhapjes së kësaj herezie, tre muaj pas zgjedhjes së tij, papa Martini
thirri në Bazilikën lateranense një koncil të madh, në të cilin ftoi të gjithë ipeshkvijtë
e perëndimit. Dënimi i ashpër i të gjitha shkrimeve monotelite, sanksionuar në
pesë sesione solemne konciliare, shkaktoi reagimin e tërbuar të oborrit mbretëror
bizantin. Perandori urdhëroi ekzarkun e Ravenës, Olimpin, të nisej për Romë për të
arrestuar Martinin. Olimpi, që dëshironte t’ia kalonte për zell edhe të zot’, u përpoq
ta mbyste Papën me dorën e stallierit të tij, gjatë kremtimit të Meshës në bazilikën
romake të Shën Marisë së Madhe. Por plani dështoi. Vrasësi u verbua papritmas kur
po përgatitej ta therte Papën që po i jepte hosten e shuguruar. Ka shumë mundësi
që kjo ngjarje e bindi Olimpin të ndërronte mendim, të pajtohej me Papën shenjt e
të planifikonte fillimin e luftës së armatosur kundër Kostantinpojës. Në vitin 653,
pasi Olimpi vdiq nga kolera, perandori mundi të hakmerrej, duke e arrestuar Martinin
me ndihmën e ekzarkut të ri të Ravenës, Teodorit Kaliop. Martini, i akuzuar për
uzurpim të paligjshëm të fronit papnor dhe për kurdisje komplotesh kundër Kostandinopojës
në bashkëpunim me Olimpin, u kap e u nis për në qytetin e Bosforit. Udhëtimi, që zgjati
pesë muaj, qe fillimi i një martirizimi nga më mizorët. Gjatë ndalesave të shumta,
besimtarët që deshën ta takojnë Papën, nuk u lejuan t’i afroheshin. Si arriti, në
shtator të vitit 654, në Kostandinopojë, e lanë një ditë të tërë të shtrirë në rrugë
të madhe, në sa populli nxitej ta tallte e ta pështynte. Të nesërmen e mbyllën në
burgjet më të tmerrshme të perandorisë. Pastaj nisi procesi i gjatë e kapitës gjyqësor,
gjatë të cilit Shën Martini u keqtrajtua aq, sa arriti të murmurojë: “Bëni me mua
ç’të doni; nuk i trembem vdekjes, përkundrazi, e dëshiroj!”- Pasi e kishin fyer publikisht,
e mbyllën fare të zhveshur e të ngarkuar me zinxhirë në qelinë e akullt, caktuar për
të dënuarit me vdekje. Por nuk e mbytën. Më 26 mars 655 e internuan fshehurazi në
Khersonea të Krimesë. Jetoi i uritur e plotësisht i braktisur për katër muaj, derisa
i erdh ora e vdekjes, që e gjeti të shkatërruar fizikisht, por të patundur moralisht.
Ishte 16 shtatori i vitit 655.