2010-04-13 18:19:10

Shqipëria dorëzon në Bruksel pyetësorin e KE-së


(13.4.2010 RV)Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha deklaroi sot, se "paraqitja në Bruksel e përgjigjeve të Pyetësorit të Komisionit Europian, përbën një moment shumë të veçantë dhe të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian".
Një ditë para nisjes drejt Brukselit, ku do të dorëzojë zyrtarisht përgjigjet e Pyetësorit të KE-së për vendin tonë, Kreu i Qeverisë mblodhi Këshillin e Ministrave për të prezantuar këtë dokument të rëndësishëm, që sipas tij "përshkruan të gjithë përpjekjet e shqiptarëve në udhën e tyre drejt BE-së".
Kryeministri Berisha theksoi se "përgjigjet e këtij pyetësori përbëjnë tërësinë e reformave, ligjeve dhe vendimeve të këtij vendi, mbi të cilat funksionon sistemi demokratik dhe ekonomia e tregut".
Pyetësori paraqet thelbin e zhvillimeve 20- vjeçare të Shqipërisë, tha Kryeministri Berisha duke shtuar se "në përgjigjet e Shqipërisë ndaj pyetjeve të Pyetësorit të KE-së janë paraqitur rezultatet e reformave të 20 viteve të fundit".
Kreu i Qeverisë ftoi opozitën shqiptare që të angazhohet me të gjithë potencialet e saj për të dhënë kontributin e vetë në procesin e integrimit të vendit, në përputhje me programin që ajo ka paraqitur para qytetarëve shqiptarë.
"Në Shqipëri, më shumë se në çdo vend tjetër qytetarët mbështesin procesin e integrimit në BE. Në Shqipëri, nuk ekziston asnjë forcë politike që të mos mbështesë në programin e vetë politik, procesin e integrimit në BE", tha Kryeministri Berisha.
Sipas tij "në këtë proces është mjaft e rëndësishme që secili të japë kontributin e vet, pasi hapësira është e gjerë për kontributin e të gjithë faktorëve, të maxhorancës qeverisëse, opozitës, shoqërisë civile, biznesit, të botës akademike, rinisë etj".
Duke e quajtur "projekti kryesor për shqiptarët", Kryeministri Berisha bëri një apel për çdo faktor politik dhe të shoqërisë civile që të angazhohen me të gjithë potencialin për të kontribuar në integrimin europian të vendit.
"Dokumenti me përgjigjet e Pyetësorit dhe kopja elektronike po niset tani drejt Brukselit, ku do të dorëzohen me besimin më të madh se do të marrin vlerësimin objektiv dhe të merituar nga ata që do ta shqyrtojnë", tha Kryeministri Berisha.
Pyetësori që KE-së i ka dorëzuar Shqipërisë është një praktikë normale që ky organizëm i dërgon çdo vendi që aplikon për statusin e vendit kandidat për në BE.
Ky dokument i rëndësishëm iu dorëzua qeverisë shqiptare më 16 dhjetor 2009 nga Ambasadori i Delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, një muaj pas vendimit të 27 vendeve të BE-së për marrjen në shqyrtim të kërkesës së palës shqiptare.
Përgjigjet e Pyetësorit të Komisionit Europian që do të dorëzohen në Bruksel, nga Kryeministri Sali Berisha përbëjnë bazën për vlerësimin e Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.







All the contents on this site are copyrighted ©.