2010-04-13 17:31:51

Koncert homazh në Tiranë në 100 vjetorin e lindjes së Lumes Nënë Terezë


(13.4.2010 RV)Një koncert homazh hapi siparin e aktiviteteve në kuadër të 100 vjetorit të Lindjes të bamirëses me origjinë shqiptare, Nënë Terezës.
Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë (MTKRS) në bashkëpunim me Fondacionin 'Nënë Tereza' dhe nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha, organizuan dje në mbrëmje në mjediset e Akademisë së Arteve një koncert homazh në kujtim të Nënë Terezës.
Të pranishëm ishin dhe Ministri i MTKRS, Ferdinand Xhaferraj, Presidentja e fondacionit "Fëmijët Shqiptarë", Zj, Liri Berisha, shefi i delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan, Kreu i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch, personalitet te politikës, kulturës dhe artit në Shqipëri, etj.
Koncerti që përmbante pjesë të kompozitorëve Giovanni Battista Pergolesi, Tomaso Albinoni dhe këngë popullore qytetare shqiptare, do të vijojë më pas në qytetet Shkodër, Lezhë, Korçë, Ulqin, Prishtinë, Shkup.
Me pjesëmarrjen e korit "Nënë Tereza " dhe Orkestrës së Harqeve me dirigjente Suzana Turkun, u prezantua për artdashësit kryeqytetas kryevepra e literaturës botërore, "Stabat Mater" e kompozitorit italian Giovanni Battista Pergolesi, vepër premierë.
Kori "Nënë Tereza" interpretoi pjesë si Stabat mater dolorosa, Cuius animam gementem, Quist se homo, Quando corpus morietur, Eja, mater fons amoris, etj.
Në koncertin- homazh në nder të ikonës së humanizmit dhe paqes në Botë erdhi dhe një buqetë këngësh shqiptare, si "Lule borë", "Si dukat i vogël je", "N'at zaman të asaj furie", "Kroi i fshatit tonë", etj, që u interpretuan nga Kori Nënë Tereza.
Ministri i MTKRS, Ferdinand Xhaferraj bëri të njohur aktivitetet për nder të Nënë Terezës, duke thënë se "viti 2010 do të jetë viti i Nënë Terezës", i shpallur i tillë në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së shenjtores, e njohur për zemërgjerësi, bujari, guxim, aftësi të posaçme për kryerjen e punëve më të rënda, ajo do ti kushtohej shërbimit ndaj më të varfërve, ndërmjet të varfërve, gjë që e kreu me besnikëri.
Ministri Xhaferraj shpalosi listën e aktiviteteve që do të zhvillohen për të nderuar ikonën unikale të humanizmit dhe paqes botërore dhe theksoi mes të tjerave, se "të gjitha aktivitetet kanë si synim nderimin, respektin dhe të bëjnë të njohur origjinën shqiptare dhe dashurinë, që Nënë Tereza ushqente për Shqipërinë dhe shqiptarët".
Përgjatë gjithë vitit do të ketë panaire, ekspozita, filma dokumentar, konferenca shkencore dhe vënien në skenë të një drame nga Teatri Kombëtar për Nënë Terezën. Në ditën e përkujtimit të lumturimit të saj në Vatikan në 19 Tetor, 2003, në kryeqytetin tonë në Tiranë do të organizohet Festivali Ndërkombëtar i Koreve me pjesëmarrjen e koreve nga vende të Evropës.







All the contents on this site are copyrighted ©.