2010-04-13 16:42:25

Benedikti XVI në Maltë në gjurmët e Shën Palit e të traditave të krishtera: bisedë e atë Federiko Lombardit me gazetarët


(13.04.2010 RV)Një vizitë në gjurmët e Shën Palit: drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi mbajti sot një konferencë shtypi për të ilustruar programin e udhëtimit apostolik të Papës në Maltë më 17 e 18 prill. Është shtegtimi i 14-të ndërkombëtar i Benediktit XVI, i teti në kontinentin evropian.
Tema e emigracionit, e rrënjëve të krishtera të popullit maltez, e sfidave të shekullarizimit do të jenë në qendër të udhëtimit të Atit të Shenjtë në Maltë, theksoi atë Lombardi. Papa shkon në gjurmët e Shën Palit Apostull, në 1950 vjetorin e shpëtimit të tij nga mbytja në brigjet malteze. Pasi kaloi nëpër etapat e vizitës, nga lutja në Shpellën e Rabatit, tek Mesha në qytezën e Florianës dhe në takimin me të rinjtë në La Valeta, zëdhënësi i Vatikanit iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Para së gjithash, nënvizoi se për momentin, nuk mund as të konfirmojë, as të përjashtojë mundësinë e takimit të Papës me një grup viktimash të abuzimeve të meshtarëve:
“Papa, siç e dini, edhe nga përvoja e kaluar, ka bërë takime të tilla e vazhdon të jetë i gatshëm, por gjithnjë në një atmosferë të qetë e pa bujë, jo nën presionin me karakter mediatik, pasi dëshiron t’i dëgjojë e të komunikojë personalisht me viktimat. Koha është shumë e shkurtër dhe programi shumë i ngjeshur”.
Gazetarët vazhduan ta pyesnin atë Federiko Lombardin mbi atmosferën që ndjehet në Vatikan pas shpërthimit të skandalit të pedofilisë. E ai u përgjigj:
“Nëse më thua: “Vatikani ndjehet i rrethuar”, unë të them “Jo, nuk ndihem i rrethuar e nuk e kam shprehur këtë lloj qëndrimi”.
Më pas, duke vazhduar në këtë linjë, drejtori i Sallës së Shtypit shpjegoi kuptimin e publikimit të Udhëzuesit të Kongregatës për Doktrinën e fesë mbi abuzimet e të miturve nga ana e anëtarëve të klerit:
“Është një procedurë normale në linjën e dialogut e të dhënies së përgjigjeve. Na pyesin shumë për sqarime. Shihet se është me dobi t’i japim, edhe për të kuptuar më mirë një situatë që shpesh bëhet konfuzionale, kur grumbullohen shumë pyetje, apo ndërhyrje të llojeve të ndryshme”.
Duke iu kthyer udhëtimit në Maltë, atë Lombardi sqaroi se Papa do të flasë në anglisht, por do të thotë ndonjë fjalë edhe në gjuhën malteze, i ndihmuar nga sekretari i tij i dytë, imzot Alfred Xuereb, me origjinë nga Malta.







All the contents on this site are copyrighted ©.