2010-04-12 11:15:42

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit kishtar


(11.4.2010 RV)Sot e diel 11 prill, Kisha kremton të dielën e 2-të Pashkëve, e diele që i kushtohet Përdëllimit Hyjnor, e po sot me 11 prill sipas kalendarit Kishtar përkujtohen edhe Shenjtorët Stanislavi, ipeshkëv e martir i Krakovisë, , Gualtieri e Antimi, martirë, që dhanë për Jezusin dëshminë e gjakut, sepse ishin bërë një gjë e vetme me Të.
Nesër e hënë 12 prill, do të përkujtohen Shenjtorët Juli I, papë, Jozef Moskati, mjek nga Napoli, Zeno ipeshkëv i Veronës, që na kujtojnë se shpresa e krishterë i kapërcen kufijtë e vdekjes.
Të martën me 13 prill do të kremtohet shën Martini I, papë e martir ,shën Ermenegjilda e shën Ida. Këta shenjtorë na ftojnë të përpiqemi për t’u bërë një gjë e vetme me Jezusin e me Atin Qiellor. Kështu jeta tokësore shndërrohet e njeriu kryen vepra dashurie, që burojnë nga Zoti.
Të mërkurën e ardhshme më 14 prill, sipas kalendarit Kishtar përkujtohen shën Tibruci, Valeriani e Maksimi, martirë. Këta na kujtojnë se ta duash Zotin do të thotë të bësh vullnetin e tij në do çast të jetës.
 
Të enjten më 15 prill do të përkujtohet shën Abondi, Damiani De Vuester, Maroni. që na kujtojnë se kulmi i dashurisë ndaj Zotit është t’ua dhurosh të tjerëve gjithë vetveten me dashuri.
 
Të premten e ardhshme më 16 prill do të përkujtohen shën Maria Berndardeta Soubiroues, virgjër, Benedikti Jozef Labre. Në liturgjinë e festës së tyre Jezusi na përsërit se dëshiron të mbretërojë në zemrat tona, duke na larguar nga shpirti çdo trazim.
 
Të shtunën e ardhshme më 17 prill , kalendari Kishtar përkujton shën Simeonin, ipeshkëv e martir, Robertin, abat. Këta shenjtorë na ftojnë të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit e të kujtojmë se i krishteri është i thirrur të sjellë fryte vëllazërimi, dashurie e shenjtërie, gjithnjë i mbështetur në hirin e Zotit.
 
Të dielën e ardhshme më 18 prill Kisha kremton të dielën e 3-të të Pashkëve e po këtë ditë kalendari kishtar përkujton edhe shën Galdinin, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal. Të krishterët e vërtetë do të urrehen ose do të kundërshtohen gjithnjë. E ka parafolur vetë Jezusi, që është e Vërteta, por kush do të vijojë të ecë në rrugën e Tij, do të shëlbohet.







All the contents on this site are copyrighted ©.