2010-04-12 17:33:42

Kryeministri Shqipërisë Berisha takon ministrin e Jashtëm të Italisë, Frattini


(12.4-2010 RV)Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se "Italia është partneri më i madh i shkëmbimeve ekonomike me Shqipërinë", ndërsa vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes prej 50 milionë euro, që u firmos sot mes dy vendeve.
Pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Italisë, Franco Frattini, në selinë e Qeverisë, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të Protokollit dypalësh të bashkëpunimit për Zhvillim, të vlefshëm për periudhën trevjeçare 2010-2012".
Në një deklaratë për shtyp, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për marrëveshjen prej 50 milion eurosh që u firmos mes dy vendeve, e cila ofron ndihmë të çmuar në fusha të ndryshme, në një kohë shumë të brishtë nga pikëpamja financiare.
Duke u ndalur te marrëdhëniet ekonomike, Kryeministri theksoi se "vitin e kaluar janë nënshkruar 4 miliardë euro investime italiane në vendin tonë në fushën e energjetikës dhe në fusha të tjera".
Kryeministri Berisha nënvizoi se ndërmarrjet e mëdha italiane kanë përgatitur investime të mëdha në Shqipëri. "Shqipëria, nuk është një vend i madh, por ofron potenciale të mëdha, mbi të gjitha në fushën e energjetikës", shtoi Kryeministri Berisha.
Ai theksoi se "kanë nisur investimet nga ndërmarrje italiane, në më shumë se 1600 megavat për energjinë eolike, të biomasës dhe atë hidrike".
"Ne diskutuam edhe për bashkëpunimin në fushën e energjisë nukleare. Dua të përshëndes takimin e fundit midis Kryeministrit italian, Silvio Berlusconit dhe Presidentit francez, Nikolas Sarkozy, për ridimensionimin e kësaj fushe të energjisë. Ne kemi vendosur të përgatisim vendin për të përfituar në këtë fushë", tha Kryeministri Berisha.
Kreu i Qeverisë shqiptare vlerësoi se pranvera italo-shqiptare është një zgjedhje për të zhvilluar dhe intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve në të gjitha fushat. Ai theksoi se "zhvillimet në marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera në të gjitha fushat".
Përsa i përket liberalizimit të vizave, Kryeministri Berisha tha se "mori mbështetjen e ministrit Frattini në këtë projekt madhor për shqiptarët".
"Ky është një proces i bazuar tërësisht mbi meritën, sepse është në interesin jetësor të vendit tim. Ky princip ka shërbyer në të mirën e qytetarëve shqiptarë, që sot zotërojnë kartat e identitetit nga më të avancuarat në Evropë. Kufijtë e vendit kontrollohen sot me teknologjitë më të avancuara evropiane, si vende të tjera anëtare të BE-së", tha Kryeministri Berisha.
Ai i shprehu miqënjohjen ministrit Frattini, që sipas tij, "ka qenë një avokat i madh i vendit tonë, si zv.president i Komisionit Evropian dhe vazhdon të jetë edhe sot në arenën politike evropiane".
Në përfundim të deklaratave, Kryeministri Berisha i dorëzoi Ministrit të Jashtëm italian, Frattini, një koleksion pullash postale të realizuara nga posta shqiptare, për të festuar sezonin e madh të eventeve "Italia dhe Shqipëria, dy popuj, një det, një miqësi", promovuar nga Ambasada italiane në vendin tonë.

Gjatë takimit me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Frattini, vlerësoi sot se e ardhmja e të gjithë rajonit ballkanik do të jetë pa asnjë mëdyshje integrimi evropian.
Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se Presidenti Topi vuri në dukje vullnetin dhe angazhimin e plotë institucional për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, duke vlerësuar lart rolin dhe kontributin e ministrit Frattini si avokat i Shqipërisë në proceset e saj integruese në BE, si dhe për liberalizimin e vizave.
Presidenti Topi vuri në dukje se "veprimtaria aktive e ministrit Frattini në mbështetje të përshpejtimit të procesit të integrimit të vendeve të rajonit të Ballkanit nënkupton qëndrimin realist dhe njohjen e thellë të qeverisë italiane mbi rajonin". Në këtë aspekt, Kreu i shtetit shqiptar i shprehu ministrit të Jashtëm italian mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të Italisë për vendin tonë në rrugën e integrimit drejt familjes së madhe evropiane.
Në takim u diskutua edhe mbi situatën politike në vend dhe atë në rajon, ku dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim që pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj nga një numër gjithnjë e në rritje shtetesh, kontribuon ndjeshëm në qëndrueshmërinë dhe paqen në Ballkan, me synim orientimin e të gjitha vendeve ballkanike drejt integrimit në strukturat euroatlantike.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Frattini, pasi vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Italisë për të vazhduar mbështetjen e fuqishme në drejtim të përmbushjes së aspiratave integruese të Shqipërisë në BE.
Z. Frattini, pasi vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, theksoi se "qëndrueshmëria politike dhe ekonomike e secilit prej vendeve të Ballkanit është e rëndësishme jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe në atë rajonal e më gjerë, sepse e ardhmja e të gjithë rajonit ballkanik do të jetë pa asnjë mëdyshje integrimi evropian".







All the contents on this site are copyrighted ©.