Evropa në zi pas tragjedisë së Smolenskut. Të shtunën, funerali i presidentit Kaçinski
(12.04.2010 RV)Dhimbje e zi në Poloni, ndërsa shtohen kremtimet për të përkujtuar
viktimat e tragjedisë ajrore të Smolenskut, që i kushtoi jetën 96 personave, ndër
të cilët presidenti polak Leh Kaçinski dhe e shoqja. E gjithë bota politike e fetare
i ka dërguar zyrtarisht Varshavës ngushëllimet , të cilat kanë mbërritur sëbashku
me ato të Papës Benedikti XVI. Dje, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Ati i Shenjtë,
siç thamë, kujtoi viktimat. Tragjedia e 48 orëve më parë e ka lënë Poloninë jo
vetëm pa president, por edhe pa krerë të rëndësishëm të qeverisë e ushtarakë të nivelit
të lartë. Ironi e fatit: Polonia mbeti pa elitën e vet politike dhe ushtarake pikërisht
pranë pyllit të Katinit, ku në vitin 1940, u masakruan pa mëshirë nga sovjetikët mëse
22 mijë oficerë dhe ushtarë polakë. Delegacioni presidencial po shkonte atje për t’i
kujtuar. Që dje, teknikë rusë dhe polakë po përpiqen të kuptojnë arsyet e aksidentit.
Tani për tani, duket se përjashtohen probleme me natyrë teknike. Funerali i viktimave
do të kremtohet të shtunën e në të do të marrin pjesë krerët më të lartë të qeverive
evropiane. Është konfirmuar pjesëmarrja e presidentit rus, Medvjedjev. Ngushëllime
kanë ardhur nga e gjithë bota, nga Kishat ortodokse dhe ungjillore, nga bota myslimane
dhe hebraike.