2010-04-12 11:16:13

Ekspozimi i Sindonës filloi dje në Torino


(11.04.2010 RV)Filloi dje në Katedralen e Torinos, Ekspozimi i Sindonës, apo i Pëlhurës së Shenjtë, ku është stampuar imazhi i Krishtit. Besimtarët, të cilët mendohet se do të arrijnë shifrën 2 milion, nga e gjithë bota, do të mund ta shohin deri më 23 maj. Kanë kaluar dhjetë vjet nga ekspozimi i fundit, gjatë Jubileut të vitit 2000. Vetë Papa Benedikti XVI do të shkojë për t’u lutur pranë Sindonës më 2 maj. Sipas kryetarit të Komisionit dioqezan për Sindonën, imzot Xhuzepe Gilberti pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është kjo: pse na është dhënë Sindona? Ta dëgjojmë në mikrofonin tonë:
Duke parë Sindonën, e cila është imazh i një pene që ka çuar drejt vdekjes një person të gjykuar me torturën e kryqëzimit e duke parë se ka një përputhje të madhe ndërmjet asaj që tregohet nga ky imazh dhe asaj që lexojmë në Ungjill mbi Mundimet e Jezu Krishtit, duket se përgjigjia e kësaj pyetje është në vetë realitetin. Zoti na jep këtë shenjtë të vuajtjes së Birit të vet, që ta kuptojmë sa e madhe është dashuria e Tij për ne. Në fakt, të gjitha detajet, që shohim tek Sindona, janë pasqyrë e Ungjillit, vetëm se Ungjilli i thotë gjërat shpejt e pa koment, ndërsa këtu i shohim qartë e me përpikmëri analitike. Duket se mesazhet plotësojnë njëri-tjetrin, megjithëse e dimë se Ungjilli është fjalë e frymëzuar, ndërsa kjo është dhuratë e Zotit.
Cili është qëndrimi i Kishës: Sindona është vërtet pëlhura, që mbështillte Krishtin pas vdekjes, apo jo?
Qëndrimi i Kishës Katolike është i kujdesshëm. Nga njëra anë, ajo pranon kultin, mundësitë ungjillore që vijnë nga mesazhi i Sindonës, por, nga ana tjetër, Gjon Pali II pati thënë t’ia lemë shkencës atë që është e shkencës, pra detyrën për t’iu përgjigjur dy pyetjeve të famshme të sindonologjisë: e para ka të bëjë me moshën e pëlhurës dhe e dyta, me mënyrën e formimit të këtij imazhi të mistershëm e tani për tani, të paimitueshëm. Prandaj, duke respektuar kompetencat e secilit, jemi të vetëdijshëm se ndjenjat që zgjon shpirtërisht Sindona janë autonome nga shkenca, pasi konstatimi i faktit se Mundimet e Krishtit përfaqësohen besnikërisht në Sindonë vjen para çdo shqyrtimi shkencor. Kuptohet se nga ana tjetër, kemi interes për punën kërkimore të shkencës, së cilës i kërkojmë të na ndriçojë më tej.
Imzot Gilberti, ju keni pasur privilegjin ta kundroni Sindonën për një kohë të gjatë: çfarë keni ndjerë?
Nuk është një pamje që të kënaq, sepse është vetëm shfaqja e vuajtjes që të përplaset në fytyrë e nëse e sheh për një kohë të gjatë nuk të kënaq, përkundrazi, sa më shumë përpiqesh të hysh në atë që ke para syve, aq më shumë merr pjesë në ato mundime. Reflektimi i dytë që të vjen në mendje është se Krishti ka vdekur për mëkatet tona, për mëkatet e mia, prandaj mund të them se kontakti me Sindonën është një kafshatë, që nuk kapërdihet lehtë. Është ngushëllues fakti që shumë njerëz largohen me lot në sy, gjë që na thotë se dialogu shpirtëror me këtë shenjë të misterit të shëlbimit është shumë i fortë.







All the contents on this site are copyrighted ©.