2010-04-12 11:16:53

Editorial i atë Federiko Lombardit: Çarmatimi bërthamor është lajm i mirë.


(11.04.2010 RV)Javës që kaloi SHBA-të dhe Rusia u impenjuan për të reduktuar armatimet bërthamore strategjike, me një marrëveshje që u konsiderua historike. Vetëm disa ditë më parë, presidenti amerikan Barak Obama pati deklaruar se Uashingtoni nuk do t’i përdorë armët bërthamore kundër shteteve, që nuk i kanë. Duke shpjeguar politikën e re në këtë fushë, Obama theksoi se ato do të mbahen vetëm për mbrojtje. Pikërisht nënshkrimit të marrëveshjes START 2, ia kushton komentin e kësaj jave, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, drejtori ynë i përgjithshëm. Ta dëgjojmë:
“Të enjten, më 8 prill, në Sallën spanjolle të Kështjellës së Pragës, po ajo ku pak muaj më parë Papa Benedikti XVI u pati folur autoriteteve politike dhe Trupit diplomatik të Republikës Çeke, presidentët e SHBA-ve dhe të Rusisë nënshkruan marrëveshjen START 2 për reduktimin e armatimeve strategjike bërthamore. Papa pati kujtuar rënien e mureve të 20 vjetëve më parë e pati thënë: “Aspiratat e qytetarëve dhe përgjigjet që priteshin nga qeveritë kërkonin modele të reja në jetën publike e solidaritet ndërmjet kombeve e popujve, pa të cilat e ardhmja e drejtësisë, paqes e përparimit të shumëpritur, do të kishte mbetur pa përgjigje”.
Në këtë kuptim, START 2 është lajm i mirë, pasi kapërcehet një gjendje amullie e rifillohet rruga drejt reduktimit e – shpresojmë – eliminimit të arsenaleve luftarake më të rrezikshme. Bombat bërthamore kufizohen në 1.550 ndërsa raketat në 800: 30% më pak në krahasim me vitin 2002. Janë gjithnjë të mjaftueshme për ta shkatërruar planetin tonë, por janë më pak në krahasim me kohën e grumbullimit pa kufi, akumulim i padobishëm e i çmendur. Të flitet për paqe, besim e solidaritet, kur akoma ekzistojnë mijëra bomba bërthamore të fuqishme, është ndoshta tepër optimiste, por rruga është e drejtë dhe vazhdimi i saj, urgjent.
Fiton kështu besueshmëri kërkesa për çarmatimin bërthamor, që u bëhet shteteve të tjera me ambicie bërthamore dhe, mund të përdoren burime ekonomike, shkencore e njerëzore të jashtëzakonshme për nevojat më urgjente të njerëzimit e të zhvillimit. Çdo përpjekje në këtë drejtim duhet inkurajuar e Kisha do të jetë gjithnjë nga ana e veprimtarëve të paqes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.