2010-04-09 18:31:10

Në debatin mbi shpërdorimet seksuale, cili është kursi i Kishës? Flet zëdhënësi i Vatikanit
Atë Lombardit.


(09.04.2010 RV)Debati mbi shpërdorimet seksuale, e jo vetëm nga ana e klerit, zë vendin e parë ndërmjet lajmeve e komenteve, me tone nga më të ndryshmet. Si mund të lundrohet në këto ujëra të trazuara, me një kurs të sigurtë e duke iu përgjigjur thirrjes ungjillore: “Dil në det të hapur!”?

Mbi të gjitha, duke vijuar të kërkojmë të vërtetën e paqen për ata që janë fyer. Një nga gjërat, që të bën më shumë përshtypje, është se po dalin në dritë shumë plagë shpirtërore, që mbetën të fshehura, ndonëse gjithnjë të hapura, për shumë e shumë kohë, nganjëherë për dhjetra vjet. Shumë nga viktimat nuk kërkojnë dëmshpërblime ekonomike, por ndihmë shpirtërore, një mendim, që mund t’ua lehtësojë dhimbjen e plagës. Diçka duket se nuk është kuptuar akoma deri në fund. Ndoshta duhet të fitojmë një përvojë më të thellë për ngjarjet, që ndikuan kaq negativisht mbi jetën e njerëzve, të Kishës e të shoqërisë. Shembull për këtë, në nivel kolektiv, është urrejtja e dhuna në konfliktet ndërmjet popujve, që kapërcehen me shumë vështirësi, kur është fjala për arritjen e pajtimit të vërtetë. Shpërdorimet e plagosin thellë shpirtin e njeriut. Prandaj bënë mirë ato episkopate, të cilat rinisën me guxim ecjen në rrugën e nxitjes së viktimave për të folur lirisht, duke i dëgjuar me vëmendje, pa llogaritur se problemi ishte përballuar e kapërcyer përmes qendrave të dëgjimit, ngritur kohë më parë, e po ashtu, edhe episkopatet ose ipeshkvijtë e veçantë të cilët, me dashuri atërore, i kushtojnë viktimave vëmendje shpirtërore, liturgjike e njerëzore. Duket i sqaruar fakti se numri i padive të reja lidhur me shpërdorimet, siç po ndodh në SHBA, po pakësohet, por rruga për shërimin në thellësitë e shpirtit për disa, fillon vetëm tani, për të tjerë, duhet akoma të fillojë. Në Kontekstin e vëmendjes ndaj viktimave, Papa ka shkruar se është i gatshëm për takime të reja me ta, duke përfshirë në këtë udhë mbarë bashkësinë kishtare. Por për të pasur rezultate të thella, kjo udhë duhet përshkuar me frymën e respektimit të njerëzve e të kërkimit të paqes.

Përveç vëmendjes për viktimat, duhet, pastaj, të vihen vendosmërisht në jetë procedurat korrekte të gjykimit kanonik të fajtorëve e të bashkëpunimit me autoritetet civile, përsa u përket kompetencave të tyre gjyqësore e penale, duke pasur mirë parasysh veçoritë e normativave e të situatave, në vende të ndryshme. Vetëm kështu mund mendohet ndërtimi me sukses i klimës së drejtësisë e të besimit të plotë në autoritetet kishtare. E theksojmë këtë, sepse drejtues të ndryshëm të bashkësive apo të institucioneve, për shkak të mungesës së përvojës, ose të përgatitjes së mangët, nuk i kanë të qarta këto kritere, që mund t’i ndihmojnë për të ndërhyrë me vendosmëri, edhe kur një ndërhyrje e tillë, për ta, është e vështirë dhe e dhimbshme.
Por ndërsa ligji civil ndërhyn me norma të përgjithshme, ndërhyrja kanonike duhet të ketë mirë parasysh peshën e rëndë morale të shpërdorimit të besimit, që kanë njerëzit tek barinjtë e bashkësisë dhe të kontradiktës flagrante me sjelljen shembullore që duhet të kenë njerëzit e Kishës. Në këtë kuptim, transparenca dhe rreptësia imponohen si kërkesa urgjente, për të dëshmuar kursin e urtë e të drejtë në Kishës.

Në perspektivë, formimi dhe seleksionimi i kandidatëve për meshtari, e më në përgjithësi, i personelit të institucioneve edukative e baritore, janë kushti i parë për parandalimin e shpërdorimeve seksuale të mundshme. Arritja e pjekurisë së shëndoshë të personalitetit, edhe në pikëpamjen e seksualitetit, ka qenë gjithnjë një sfidë e vështirë; e sot, akoma më shumë, ndonëse njohuritë më të thella psikologjike e mjekësore ndihmojnë mjaft në formimin shpirtëror e moral. Dikush ka vërejtur se shumica e shpërdorimeve ka ndodhur në periudhën më të nxehtë “të revolucionit seksual”, domethënë në dekadat e kaluara. Kur flitet për formim, duhen pasur mirë parasysh edhe këto rethana e, më në përgjithësi, rrethanat e shekullarizimit. Në fund të fundit bëhet fjalë për të zbuluar e për riafirmuar kuptimin dhe rëndësinë e seksualitetit, të pastërtisë e të marrëdhënieve afektive në botën e sotme, në forma shumë konkrete e jo vetem verbale, abstrakte. Duhet sqaruar mirë se dhunimi ose nënvleftësimi i tyre mund të bëhet burim i çregullimeve e i vuajtjeve të rënda. Siç vëren Papa, duke u shkruar irlandezëve, të krishterët e meshtarët mund t’u përgjigjen sot kërkesave të thirrjes së tyre, vetëm duke e shuar etjen në burimet e fesë e të miqësisë me Krishtin.
Kush e do të vërtetën dhe vlerësimin objektiv të problemeve, do të dijë t’i kërkojë e t’i gjejë njoftimet e duhura për një mirëkuptim më të përgjithshëm të problemit të pedofilisë e të shpërdorimeve mbi të miturit në kohën tonë e në vende të ndryshme, duke e kuptuar shtrirjen dhe perversitetin e problemit. Mund të kuptohet, kështu, më mirë, në ç’mënyrë Kisha katolike ndan me të tjerët jo vetëm problemet e veta, në ç’masë rëndojnë mbi të e ç’ndërhyrje të posaçme duhet të bëjë e, së fundi në ç’masë përvoja e Kishës në këtë fushë, mund të jetë e nevojshme edhe për institucionet e tjera, ose për mbarë shoqërinë.

Në këtë aspekt na duket se mediat nuk kanë punuar ende sa duhet, posaçërisht në vendet ku prania e Kishës ka më shumë peshë e ku, prandaj, ndikojnë më shumë shigjetat e kritikës. Por dokumente, si Raporti kombëtar i SHBA mbi keqtrajtimin e fëmijëve, meritojnë të njihen më shumë, për të kuptuar cilat janë fushat ku shoqëria duhet të ndërhyjë me urgjencë e cilat janë përmasat e problemit. Vetëm në vitin 2008 në SHBA u identifikuan 62. 000 të paditur për shpërdorime mbi të miturit, ndërsa grupi i meshtarëve katolikë është aq i vogël, sa nuk u mor fare parasysh si i tillë.

Mund të themi, prandaj, se impenjimi për mbrojtjen e të miturve e të të rinjve, është një fushë e pamasë dhe e pashterrshme pune, e cila shkon shumë përtej problemit, që ka të bëjë me disa anëtarë të klerit. Ata, që ia kushtojnë me ndjeshmëri, bujari e vëmendje forcat e tyre, meritojnë mirënjohje, respekt e inkurajim nga ana e të gjithëve e, posaçërisht, nga ana e autoriteteve kishtare e civile. Kontributi i tyre është themelor për paqen e besueshmërinë e punës edukative e të formmit të rinisë në Kishë e jashtë saj. Me të drejtë Papa i vlerësoi lart në Letrën për Irlandën, por natyrisht, duke pasur parasysh një horizont shumë më të gjërë.
 Së fundi, Papa Benedikti XVI, prijës korrekt në rrugën e rreptësisë e të vërtetësisë, e meriton plotësisht respektin dhe mbështetjen, që po ia dëshmon mbarë Kisha. Ai është Bari në lartësinë e duhur, për t’i bërë ballë me drejtësi e siguri kësaj kohe të vështirë, në të cilën nuk mungojnë kritikat e insinuatat pa asnjë bazë; larg çdo paragjykimi, duhet pohuar se Ai është një Papë që ka folur shumë për të Vërtetën e Zotit e për respektimin e së vërtetës, në përgjithësi, duke u bërë edhe dëshmitar i besueshëm i saj. E shoqërojmë e mësojmë prej tij qëndrueshmërinë e nevojshme për t’u rritur me frymën e së vërtetës e të transparencës, duke e zgjëruar vazhdimisht horizontin mbi problemet e rënda të botës e duke iu përgjigjur me durim avazit të “zbulimeve” të pjesëshme ose të hamendësuara, që bëjnë çmos për ta dëmtuar besueshmërinë e tij, të institucioneve ose të personave të tjerë të Kishës. Pikërisht për këtë dashuri durimtare e të palëkundshme kemi nevojë në Kishë, në shoqërinë ku jetojmë e në mënyrën si komunikojmë e si shkruajmë, në se dëshirojmë t’u shërbejmë bashkëkohasve, e jo t’i pështjellojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.