Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 2-të të Pashkëve in ‘Albis’ kushtuar Mëshirës
Hyjnore.
Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë
së bashku leximet biblike të dielës së dytë të Pashkëve, e diele që nga viti 2000
Papa Gjon Pali II ia besoi Mëshirën Hyjnore. Pra këtë të diele Kisha kremton festën
e Mëshirës Hyjnore. Në këtë të diele na shoqëron e udhëheq Gjoni ungjilltar,
ndoshta sepse duke jetuar më shumë se apostujt e tjerë, ka qenë dëshmitar se si dalëngadalë
po në mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme është përhapur në botë feja në Krishtin
e Ngjallur Zot. Kështu pra, në të dielën e dytë të Pashkëve, liturgjia dëshiron
të na ndihmojë ta thellojmë misterin e Ngjalljes, ngjarjen qendrore, vendimtare, të
fesë sonë të krishterë. Të dielën e kaluar, liturgjia na paraqiti këtë ngjarje në
vete, ndërsa këtë herë synon të na ndihmojë ta kuptojmë se çfarë është NGJALLJA e
KRISHTIT e si mund të nxjerrim fryte prej saj për jetën e përditshme. Tekstet
biblike që liturgjia na i propozon këtë të diele, janë të përshkuara e të mbushura
me mahnitje, mrekullim dhe na thërrasin të gëzohemi. Me pak fjalë, leximet biblike
të kësaj së diele vënë në pak temën e fesë, temën besimit në Krishtin e Gjallë.
Në fragmentin e sotëm ungjillor, dëgjojmë edhe rrëfimin mbi takimin e Tomës Apostull
me Jezusin e Ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh
– e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij
më të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e
veta në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët
e Tij tregojnë se Ai na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria që ka për
ne. Plagët e Tij – ne mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Jezusit vijojnë
t’i hapen plagë për ne. Ç’siguri për mëshirën e tij e ç’ngushëllim na japin! E si
na sqarojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për
detyrë të plagosemi për Të në dashuri e me dashuri.
Mosbesimi i Tomës,
për çka flet pjesa e Ungjillit të kësaj se diele, na ndihmon të zbulojmë fytyrën e
vërtetë të Krishtit, dhe inkurajon të gjithë njerëzit që e kërkojnë me zemër të pastër
takimin me Jezusin, Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë, pavarësisht nga dyshimet e pasiguritë.
Krishti i ngjallur është shpresë për një ardhmëri më të mirë! Të bashkuar me Të, bëhemi
apostuj të paqes e lajmëtarë të një gëzimi që nuk ka frikë nga dhimbja. Fjalët
e Shën Tomës, besojma e tij e fesë në Krishtin e Gjallë: “Zotëria im e Hyji im!”,
na kujton takimin e Krishtit të ngjallur me Apostujt, nënvizon etjen e tyre plot
mosbesim, për të qenë të sigurtë. Ky takim nuk ishte ëndërr, as shpresë e kotë e as
përfytyrim subjektiv; ishte i vërtetë, edhe pse i papritur e pikërisht për këtë, edhe
më prekës. Pas këtyre fjalëve, feja gati e shuar në shpirtrat e tyre, u ndez
përsëri. Apostujt ia treguan këtë Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të
jashtëzakonshëm me të Ngjallurin. Edhe njerëzimi i sotëm pret nga të krishterët një
dëshmi të re të ngjalljes së Krishtit; ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë
e Njeri të vërtetë. Në se përmes këtij Apostulli mund t’i davaritim dyshimet
e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve
tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin
që vdiq e u ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve
vijon, sepse Zoti i ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm
drejt përmbushjes së planit të tij të amshuar shëlbues. Secili nga ne mund të
tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e venë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja,
e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm –
për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e
të urisë? E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë pikërisht në këto raste,
mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë
çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, ngarkoi mbi vete të gjitha varret
e njerëzimit të plagosur. Toma mori nga Zoti e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën
e një feje të vënë në provë nga mundimet e vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi
me Të, të ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur rilindi, falë prekjes së plagëve të
Krishtit, plagë të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë
në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu. E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës
në fillim ishin pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare: Vetëm një Zot
që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve
të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar! Sa plagë e sa dhimbje në botë: Mendoj
për shuplakën e urisë, të sëmundjeve të pashërueshme, për terrorizmin, për rrëmbimet
e njerëzve, për mijëra fytyrat e dhunës – nganjëherë të përligjura në emër të fesë
- për përbuzjen e jetës, shkeljen e të drejtave njerëzore e për shfrytëzimin e njeriut.
Nuk mund të mos i kujtojmë edhe fatkeqësitë e natyrës dhe tragjeditë njerëzore
që kanë tronditur kohët e fundit Vendet e ndryshme të botës por në Krishtin e Gjallë
e kemi shpresën, më dritën e Ngjalljes së Tij shndriten synimet dhe e ardhmja jonë
plot besim e shpresë: Të dashur vëllezër e motra, përmes plagëve të Krishtit të
ngjallur mund t’i shikojmë me sytë e shpresës këto të këqija që mundojnë njerëzimin.
Duke u ngjallur, Zoti nuk e zhduku të keqen, as vuajtjen nga bota, por fitoi mbi ta
në rrënjë me begatinë e Hirit të tij. Prepotencës të së keqes iu kundërvu me gjithëpushtetin
e dashurisë. Na tregoi se në rrugën e paqes e të gëzimit mund të ecet vetëm me Dashurinë
që nuk ka frikë nga vdekja. Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë
(Vap 5, 12 – 16)
Lexim prej Veprave të Apostujve
Shumë shenja
e mrekulli bëheshin prej apostujve në popull. Të gjithë besimtarët si me marrëveshje
e kishin zakon të bashkohen në Tremen e Salomonit. Prej të tjerëve askush s’kishte
guxim të bashkohet me ta, porse megjithatë populli u jepte nderim. Dhe kështu,
gjithnjë shtohej numri i burrave e i grave që besonin në Zotërinë, kështu që i nxirrnin
në tregje të sëmurët dhe i vinin në vigje e në shtroja në mënyrë që, duke kaluar Pjetri
aty pari, së paku hija e tij t’i binte ndonjërit prej tyre. Po edhe një turmë e madhe
njerëzish ngarendte nga qytetet përreth Jerusalemit: sillnin të sëmurë e nga ata që
i kishin pushtuar shpirtrat e ndytë dhe të gjithë shëroheshin. Fjala e Zotit.
Psalmi 118 (117)
Allelluia, Allelluia, Allelluia. ----- Le të thotë tashti Izraeli, sepse është i mirë, e amshuar është dashuria
e tij! Le të thotë tani shtëpia e Aronit, e amshuar është dashuria e tij! ----- Guri,
që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, erdhi e u bë guri i këndit; Zoti e
bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë tanë! Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: të
galdojmë e të gëzojmë në të! ----- Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, deh,
o Zot, jepe të mbarën! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Po ju bekojmë
nga shtëpia e Zotit. Hyji është Zot, ai na ndriçoi: -----
Leximi i dytë
(Zb 1, 9-11a. 12-13. 17-19)
Lexim prej Zbuleses së shën Gjonit apostull
Unë Gjoni, vëllai juaj dhe bashkë me ju pjesëtar në vuajtje, në mbretëri
dhe në qëndresë në Jezusin: isha për shkak të fjalës së Hyjit dhe të dëshmisë së Jezusit
në ishullin që quhet Patmos. Një ditë të Diel pata vegim prej Shpirtit Shenjt dhe
pas meje dëgjova një zë të madh, porsi zë trumbete, që më thoshte: »Çka po sheh, shkruaj
në libër dhe dërgojua shtatë kishave. U solla ta shoh zërin që po fliste me mua;
si u ktheva, pashë shtatë shandanë të artë dhe në mes të shandanëve dikë si Birin
e njeriut, të veshur me petk të gjatë dhe të ngjeshur me brez ari rreth parzmës. Kur
e pashë, rashë para këmbëve të tij porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën e vet
e tha: »Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Fundit, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja,
jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës! Shkruaj,
pra, çka pe: çka është dhe çka do të ndodhë më vonë!
Fjala e Zotit.
Ungjilli(Gjn
20, 19-31) Pas tetë ditëve, erdhi Jezusi.
Leximi i Ungjillit të shenjtë
sipas Gjonit
Në mbrëmjen e po asaj dite - të parën
ditë të javës - ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej
frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si
u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë.
Pastaj u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj
ju.” Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që
jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.” Porse Toma,
njëri prej të Dymbëdhjetëve - ai që quhet Binjak - nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi.
I thanë, pra, nxënësit e tjerë: “E pamë Zotërinë!” Toma u përgjigj: “Pa e parë
në duart e tij vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdave; pa
e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.” Pas tetë ditësh nxënësit
e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin
të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Pastaj i tha
Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e
shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!” Toma iu përgjigj:
“Zotëria im dhe Hyji im!” Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk
panë e besojnë!” Jezusi bëri ndër sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli të
tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi
është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij.
Fjala
e Zotit.
E këtu ju propozojmë programin tone kushtuar Liturgjise se
Fjales se Zotit: dëgjimin e leximeve biblike të dielës së dytë të Pashkëve dhe komentin....