2010-04-09 17:46:04

Fillon nesër Ekspozimi i Sindonës në katedralen e Torinos


(09.04.2010 RV)Fillon nesër në katedralen e Torinos, Ekspozimi i Sindonës, apo i Pëlhurës së Shenjtë, ku është stampuar imazhi i Krishtit. Besimtarët, të cilët mendohet se do të arrijnë shifrën 2 milion, nga e gjithë bota, do të mund ta shohin deri më 23 maj. Kanë kaluar dhjetë vjet nga ekspozimi i fundit, gjatë Jubileut të vitit 2000. Vetë Papa Benedikti XVI do të shkojë për t’u lutur pranë Sindonës më 2 maj.
Autenticiteti i Pëlhurës së Shenjtë ka qenë gjithnjë në qendër të debateve e Kisha, megjithëse e vetëdijshme për rëndësinë e dëshmisë ungjillore të saj, ia ka lënë fjalën e fundit shkencës. Të dëgjojmë, për këtë temë, mendimin e profesor Bruno Barberis, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Sindonologjisë në Torino:
“Autentike” do të thotë që vërtet aty është gjurma e lënë nga një trup njerëzor, nuk është pra një pikturë, diçka e bërë me dorë. E kjo, pavarësisht se shpesh dalin teori nga më të dëshpëruarat dhe të ashtuquajturit shkencëtarë pohojnë se kanë krijuar një imazh të njëjtë me atë në Sindonë, në të vërtetë askush nuk ia ka arritur kurrë këtij qëllimi. Prandaj, sot mund të pohojmë me siguri se gjurma që shohim në pëlhurë është vërtet gjurma e kufomës së një njeriu, i cili ka pësuar shumë tortura e në fund është kryqëzuar. E edhe se ka vdekur, pasi gjurma është e një trupi të vdekur, pa dyshim.
Gjë tjetër është nëse e konsiderojmë pëlhurën “autentike” vetëm kur periudha e saj përputhet me atë të Krishtit. Ky është një problem i hapur akoma, pasi datimi me karbon radioaktiv, bërë 22 vjet më parë, dha si rezultat epokën mesjetare, por shkaktoi shumë polemika për mënyrën se si u zhvillua, sigurisht pak shkencore. Gjithsesi, datimi i pëlhurave është një problem i ndërlikuar, pasi ato mund të jenë ndotur nga jashtë në mënyra të ndryshme.
Niveli i tretë i “vërtetësisë”: Pëlhura, jo vetëm duhet të jetë e kohës së Krishtit, por gjurma që duket në të duhet të jetë vërtet ajo e Korpit të Krishtit pas vdekjes. Ky është një problem edhe më i vështirë për t’u zgjidhur, megjithëse përkimi i përsosur i imazheve, plagëve që shohim në Sindonë me ato që lexojmë në Ungjill, na lejon ta shikojmë si shumë të mundshme faktin që njeriu i Sindonës është Jezu Krishti. Me të vërtetë, disa nga karakteristikat që shohim në Pëlhurën e Shenjtë e që përkojnë më Ungjijtë, janë shumë të rralla e nuk mund të jenë të zakonshme për çdo të kryqëzuar në histori.







All the contents on this site are copyrighted ©.