2010-04-08 14:53:13

Topi e Topalli vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera Shqipëri-Kosovë


(08.4.2010 RV)Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, gjatë një takimi me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, që gjenden për vizitë në Shqipëri, vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Presidenti Shqipërisë Topi vlerësoi ecurinë normale të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat siç tha, konfirmuan pjekurinë dhe vizionin largpamës të udhëheqjes politike dhe tërë shoqërisë kosovare. Ai inkurajoi frymën e tolerancës dhe të vullnetit për bashkëpunim që është evidentuar në marrëdhëniet me pakicat, sidomos me serbët e Kosovës për ndërtimin dhe funksionimin sa më të mirë të një shteti demokratik dhe multietnik me institucione të konsoliduara.
Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan përkushtimin e dy vendeve tona ndaj vlerave dhe aspiratave të përbashkëta euroatlantike, të cilat përbëjnë një platformë të sigurt për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. "Aktualisht ato janë futur në një fazë të rëndësishme të zhvillimit të tyre dhe kanë një dinamikë të ngjeshur, sidomos përsa i përket përmbushjes së objektivit për liberalizimin e regjimit të vizave, që do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare ekonomike", theksoi Presidenti Topi.
Gjithashtu, Presidenti Shqipërisë Topi, duke e vënë theksin tek fakti që "Pavarësia dhe njohja e Kosovës është e pakthyeshme", e siguroi Kreun e Kuvendit të Kosovës se Shqipëria ka mbështetur fuqishëm dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën politikisht në arenën ndërkombëtare që më shumë vende ta njohin atë, por dhe në forcimin e rritjen e institucioneve të saj, si objektiv thelbësor për konsolidimin e Kosovës si vend i pavarur.
Nga ana e tij, Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi vlerësoi përpjekjet e vazhdueshme të të gjitha institucioneve shqiptare në funksion të konsolidimit të pavarësisë, por njëkohësisht vërejti se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në procesin e forcimit të shtetit të ri dhe njohjes në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, Krasniqi garantoi bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të Prishtinës dhe atyre të Tiranës në funksion të aspiratave të përbashkëta integruese evropiane.
Edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Jozefina Topalli, pas takimit me kreun e parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, vlerësoi arritjet e shtetit të ri dhe shprehu bindjen se së shpejti do të zgjatet lista e vendeve që e njohin pavarësinë. Zonja Topalli vlerësoi po ashtu edhe bashkëpunimin e faktorit politik shqiptar në Prishtinë dhe ndërkombëtarëve, si dhe respektimin e Kushtetutës dhe institucioneve nga misionet e pranishme në Kosovë. Nga ana e tij, Krasniqi vlerësoi pritjen vëllazërore që i është bërë në Tiranë, ndërsa theksoi se çdo marrëveshje që duhet të ratifikohet mes dy vendeve do të bëhet në rrugën e duhur. Topalli theksoi se raporti Shqipëri Kosovë është një model unik në rajon dhe marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira.







All the contents on this site are copyrighted ©.