Papa i fton të krishterët të jenë dëshmitarë të Krishtit të Ngjallur për të përhapur
paqen e shpresën.
(08.4.2010 RV)“Të lutemi, që të krishterët, edhe në situata të vështira e të
ndërlikuara të shoqërisë së sotme, të shpallin pa u lodhur kurrë, me jetën e tyre,
se Ngjallja e Krishtit është burim shprese e paqeje”: këto janë mes tjerash fjalët
që na i drejton Papa në këtë kohë të Pashkëve drejt Rrëshajëve. Thirrje kjo që përqëndrohet
tek Misteri i Pashkëve. Ngjallja e Krishtit, ngjarje që ia ndryshoi rrjedhën historisë
së njerëzimit, është baza e fesë së krishterë: në një ndër audiencat e të mërkurës,
e pikërisht atë të 26 marsit të vitit të kaluar, të parën audiencë pas Pashkëve, Benedikti
XVI i nxiti besimtarët ta ripohojnë me forcë këtë të vërtetë themelore të fesë sonë.
Zbehja e besimit në Ngjalljen e Jezusit - kujtoi Papa – ka si pasojë zbehjen e dëshmisë
së besimtarëve. Në se në Kishë mungon besimi në Ngjalljen e Jezusit, gjithçka ndalet,
gjithçka ligështohet. “Përkundrazi, besimi me gjithë mend e me gjithë zemër në
Krishtin e vdekur e të ngjallur, e ndryshon dhe e ndriçon jetën e njerëzve e të popujve.
Thua nuk është pikërisht besimi i patundur në Ngjalljen e Krishtit ai, që u jep guxim
profetik e durim të pashoq martirëve të të gjitha epokave? A s’ është takimi me Krishtin
e gjallë burim i mahnitjes, që i bën mijëra burra e gra të kthehen në rrugën e Zotit
e të lënë gjithçka, për të ecur në gjurmët e Krishtit e për ta vënë gjithë jetën e
tyre në shërbim të Ungjillit?”. Ndërsa në tetorin e vitit 2006, Benedikti XVI ia
kushtoi pikërisht temës themelore të Ngjalljes së Krishtit, fjalimin që mbajti në
takimin kombëtar të Kishës italiane në Veronë. Prej andej, Papa i ftoi katolikët të
jenë dëshmitarë të vërtetë të Krishtit të Ngjallur, duke i çuar kështu mbarë botës
gëzimin dhe shpresën e krishterë e duke ia rikthyer nënshtetësinë e plotë fesë së
Krishtit në një shoqëri, në të cilën Hyji përjashtohet gjithnjë më shumë nga jeta
publike. Papa Racinger i nxiti të gjithë t’ia propozojnë botës arsyet që të shtyjnë
të besosh, me butësi e respekt, por edhe me atë forcë që buron nga bashkimi me Krishtin.
Ati i Shenjtë ritheksoi me forcë qëndërsinë e Krishtit të ngjallur si hop vendimtar
drejt një përmase jete thellësisht të re për gjithë familjen njerëzore, për historinë
e për mbarë universin. Papa nënvizoi, në vijim, se e reja që solli krishtërimi, ka
forcë t’ia ndërrojë faqen botës: “Jemi të thirrur të bëhemi burra të rinj e gra
të reja, për të qenë dëshmitarë të vërtetë të të Ngjallurit e në këtë mënyrë, përçues
të gëzimit e të shpresës së krishterë në botë, konkretisht, në atë bashkësi njerëzish
në gjirin e së cilës jetojmë”. Ngjallja e Krishtit – shpjegoi Ati i Shenjtë
me fjalë plot pasion - ishte si shpërthim drite, shpërthim dashurie, që copton prangat
e mëkatit e të vdekjes. Përuroi kështu një përmasë të re të jetës e të realitetit,
nga e cila lind një botë e re, që depërton vazhdimisht në botën tonë, e shndërron
atë dhe e bën për vete. Thirrja jonë dhe detyra jonë si të krishterë – na porosit
Papa - kërkojnë të bashkëpunojmë që të realizohet plotësisht në jetën tonë të përditshme,
frymëzimi që Shpirti Shenjt na e dhuroi në Pagëzim, për t’u bërë kështu dëshmitarë
të Krishtit të Ngjallur e nismëtarë të paqes e të shpresës në botë. Duke folur
për fenë, si çelës që shërben për të lexuar e dhënë kuptim vuajtjes, Ati i Shenjtë
Benedikti XVI na shpjegon se kryqi, me të drejtë, shkakton frikë, ashtu siç i shkaktoi
frikë e ankth edhe vetë Krishtit. Por kryqi nuk është mohim i jetës, nuk na pengon
të jemi të lumtur. Përkundrazi, Kryqi i Krishtit është pohimi më i lartë i jetës,
është pohimi më tronditës i Hyjit ndaj njeriut, shprehja më e fuqishme e dashurisë
së Zotit për njeriun. Duhet prandaj të jemi gjithnjë gati t’i përgjigjemi kujtdo që
na kërkon arsyen e shpresës së krishterë, duke e dëshmuar me jetën tonë Krishtin dhe
dashurinë e tij pa mbarim për njeriun.