2010-04-08 15:10:38

Magjisteri i Papës mbi dishepujt e Emausit: Jezusi bëhet shok udhe për të rindezur në zemrat tona flakën e fesë e të shpresës


(08.04.2010 RV)RealAudioMP3 Në rrugët e botës, Krishti bëhet një shok i përditshëm udhëtimi për çdo njeri, përmes Eukaristisë, ashtu siç qe edhe për dishepujt e Emausit. Protagonistët e këtij episodi të njohur të Ungjillit sipas Lukës janë në qendër të liturgjisë së meshës të së mërkurës dhe të së enjtes në Tetëditëshen e Pashkëve. Pikërisht historisë së tyre, të shndritur nga takimi i jashtëzakonshëm me Jezusin e Ringjallur, Benedikti XVI i ka kushtuar një faqe të magjisterit të vet.
Shtatë milje në këmbë, krejtësisht të dëshpëruar, ngaqë ëndrra për të ardhmen e Izraelit kishte përfunduar me gjak, në një Kryq mbi Golgotë. Këtë mendonin atë të hënë, Kleofa dhe shoku i tij, emrin e të cilit nuk e njohim, ndërsa linin pas pluhurin e rrugës dhe mijëra fjalë, të zhgënjyer nga ç’i kishte ndodhur Jezusit të premten e mëparshme. Shkonin në shtëpitë e tyre, në fshatin Emaus, kur një njeri bashkohet me ta, në dukje, aq “i huaj”, sa të mos e dinte se tri ditë më parë ishte kryqëzuar padrejtësisht një profet i drejtë. Duke reflektuar mbi “fytyrën e trishtuar” të dishepujve, në lutjen e Mbretëreshës Qiellore të 6 prillit 2008, Papa Benedikti XVI vëren: “Në bisedën e dishepujve me udhëtarin e panjohur të bën përshtypje shprehja që Shën Luka Ungjilltar vendos në gojën e njërit prej tyre: “Ne shpresonim…”:
“Ajo folje në kohën e kaluar thotë gjithçka: besonim, e ndoqëm, shpresuam…, por tashmë gjithçka mbaroi. Edhe Jezusi i Nazaretit, që ishte treguar si profet i fuqishëm në vepra e fjalë, dështoi, e ne jemi të zhgënjyer. Kjo dramë e dishepujve të Emausit pasqyron gjendjen e shumë të krishterëve në kohën tonë: duket sikur shpresa e fesë ka dështuar. Vetë feja është në krizë, për shkak të përvojave negative, që na bëjnë të ndihemi të braktisur nga Zoti”.
As tregimi i grave, që thonë se janë dukur disa njerëz, sipas të cilëve Jezusi “është gjallë”, nuk i bind dy udhëtarët e Emausit. Dishepujt që shkuan te Varri i Jezusit nuk e panë, thonë ata, duke mos i dhënë rëndësi lajmit të jashtëzakonshëm të Ringjalljes, para realitetit të thatë të varrit të zbrazur. Pas kësaj, në rrugën e Emausit, nis pjesa e dytë e këtij filmi ideal: Krishti u zbulohet dalëngadalë të dyve, së pari, duke folur për veten përmes teksteve të shenjta e pastaj, duke ndarë bukën për ta:
“Ky tekst i mrekullueshëm ungjillor përmban strukturën e Meshës Shenjte: në pjesën e parë, dëgjimi i Fjalës përmes Shkrimit të Shenjtë; në të dytën, liturgjia eukaristike dhe bashkimi me Krishtin e pranishëm në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të vet”.
Pastaj Krishti zhduket nga pamja e dy dishepujve të Emausit. Por në elterin, në të cilin u shndërrua tryeza e tyre e varfër, mbetet shenja e bukës së ndarë e të ofruar, siç ndodh që prej dymijë vjetësh në kishat e gjithë botës:
“E kështu, takimi me Krishtin e Gjallë, që është i mundur edhe sot, na dhuron një fe më të thellë e më të vërtetë, të farkëtuar, si të thuash, në flakën e ngjarjeve të Pashkëve; një fe e fortë, sepse ushqehet jo me ide njerëzore, por me Fjalën e Zotit e me praninë e tij reale në Eukaristi”.
Dishepujve u hapen sytë, besojnë e harrojnë dëshpërimin, trishtimi largohet. Tani, të dy ndjejnë brenda një gëzim, që, siç i thonë njëri-tjetrit, ua kishte pushtuar zemrën që në fjalët e para të të panjohurit. Tani është ora e entuziazmit të vetëdijshëm, të lajmit, që duhet çuar në Jeruzalem, pa humbur kohë. Shtatë miljet e rrugës nuk qenë asgjë në kthim, pavarësisht se “u bë natë e dita po mbaron”. Tani pluhuri i sandaleve dhe largësia bëjnë të zhduken pak nga pak shtëpitë e një fshati, që siç ka thënë Papa, mbetet në historinë e krishterë jo si pikë gjeografike, por si vend shpirtëror:
“Lokaliteti i Emausit nuk është gjetur me saktësi. Ka hipoteza të ndryshme e kjo na shtyn të mendojmë se në të vërtetë, Emausi përfaqëson realitetin e çdo vendi: rruga që na çon në të është rruga e çdo të krishteri, madje, e çdo njeriu. Në rrugët tona, Jezusi i Ringjallur bëhet shok udhëtimi, për të rindezur në zemra flakën e fesë e të shpresës dhe për të ndarë bukën e jetës së amshuar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.