2010-04-08 14:33:33

Kosova përgatitet për regjistrimin e popullsisë pas 30 vjetësh


(08.4.2010 RV)Vitin që vjen Kosova ka në agjendë regjistrimin e popullsisë, i munguar prej 30 vjetësh, që vlerësohet një nga projektet e mëdha, që realizohet pas pavarësisë. Ky proces do të mbahet nga 31 marsi deri me 15 prill 2011.
Nën organizimin e Ministrisë së Administratës Publike (MAP), Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë dhe Entit të Statistikës të Kosovës, i cili funksionon në kuadër të kësaj ministrie para dy ditësh u mbajt takimi i parë me kryetarët e komunave të Republikës së Kosovës mbi përgatitjet për regjistrimin e popullsisë, ekonomive Familjare dhe Banesave.
Ministrja e sapoemëruar e MAP-së, Edita Tahiri e vlerësoi procesin e regjistrimit si një projekt madhor me rëndësi nacionale, por edhe sfidë njëkohësisht. "Regjistrimi do të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të kushteve sociale dhe jetësore të qytetarëve tanë në vitin 2011, që në fakt është një instrument esencial për politika, planifikime dhe vendimmarrje efektive në të mirë të mirëqenies së qytetarëve", theksoi ajo.
Tahiri shtoi se reforma qeveritare e ndërmarrë nga Kryeministri Hashim Thaçi rrit përgjegjësinë që përballë proceseve të rëndësishme, ashtu siç është regjistrimi i popullsisë, të tregojmë vetëdije të lartë shtetërore për të dëshmuar se jemi në gjendje të funksionalizojmë çdo dimension të shtetit tonë të ri.
Ministrja Tahiri ka premtuar se Ministria që drejton do të bëjë angazhime shtesë dhe do të bashkëpunojë me të gjitha institucionet relevante të Republikës së Kosovës, institucionet ndërkombëtare përkatëse, me theks të veçantë EUROSTAT-in, si dhe me donatorët, që ky proces të jetë i suksesshëm dhe i pranueshëm nga të gjitha komunitetet, duke theksuar dy procese të rëndësishme që ndodhen para secilit - ngritjen e komponentëve të shtetit të ri, për të krijuar themele të qëndrueshme, si dhe synimet evropiane dhe euroatlantike, të cilat e shtojnë përgjegjësinë dhe obligimet.
Kryetari i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë , Rifat Blaku, njëkohësisht dhe zëvendësministër i MAP-së, ka kërkuar angazhim dhe mobilizim maksimal nga kryetarët e komunave për të administruar mbi 1460 lokalitete, mbi 5100 qarqe regjistruese, mbi 440 mijë ekonomi shtëpiake dhe një numri shumë të madh regjistruesish dhe monitoruesish, për të realizuar këtë proces sipas standardeve ndërkombëtare.
Detajet teknike dhe profesionale të këtij procesi i ka paraqitur Kryeshefi Ekzekutiv i Entit të Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, i cili ka dhënë edhe sqarimet e nevojshme për kryetarët e komunave.
Ekspertët e demografisë vlerësojnë se numri i kosovarëve është më se 2 milionë e 700 mijë - rreth 2.200.000 banorë brenda Kosovës (rezidentë) dhe rreth 500.000 jashtë vendit. Shifrat janë të përafërta, meqë në Kosovë nuk ka pasur regjistrim të plotë të popullsisë që nga vitit 1981.







All the contents on this site are copyrighted ©.