2010-04-07 17:38:33

Solidaritet për Papën Benedikti XVI. Deklaratë e Zëdhënësit të Vatikanit për ish-ipeshkvin e Trondhaimit.


(07.04.2010 RV)Kisha shtrëngohet rreth Bariut të vet. Nga e gjithë bota ipeshkvij, meshtarë e njerëz të thjeshtë i shprehin solidaritetin e tyre Benediktit XVI në atmosferën e fushatës, filluar nga mediat kundër tij, për shkak të abuzimeve seksuale të disa eksponentëve të klerit katolik. Jo më larg se dje, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, i cili ndodhet në Kili, pranë popullsisë së dëmtuar nga tërmeti, hodhi poshtë të gjitha akuzat, që shohin në Papën personin që “dinte, por nuk ndërhyri”, për të shpëtuar fasadën e jashtme të Kishës. Për rastin e priftit pedofil amerikan Murphy, kardinal Bertone deklaroi në aeroportin e Santiagos, se Vatikani ka dokumentuar të kundërtën e asaj që thonë mediat e Kisha ka reaguar menjëherë. E mbështeti, kryeipeshkvi i Santiagos, kardinali Fransisko Havier Erràzuriz.
Solidaritet edhe nga kardinali Anxhelo Sodano, dekan i kolegjit kardinalor, i cili, nga faqet e gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, thekson se Papa mishëron të vërteta morale, që nuk pranohen nga bota, e cila për këtë përdor fajet e meshtarëve si armë kundër Kishës dhe mësimeve të saj. Sodano vëren se gjithnjë Kisha ka qenë në qendër të sulmeve: fillimisht betejat e modernizmit kundër Papës Piu X, pastaj ofensiva kundër Piut XII për sjelljen e tij gjatë Luftës II Botërore e së fundi, kundër Palit VI për enciklikën “Humanae Vitae”. Nuk ka faj Papa, thekson kardinali, nëse ndonjë nga meshtarët katolikë njolloset me krime të rënda, siç është abuzimi me fëmijët.
Kryeipeshkvi i Uashingtonit, imzot Donald Uerl e shprehu solidaritetin e tij me Papën në një letër të hapur drejtuar besimtarëve të dioqezës. Prelati kujton se kardinali i atëhershëm Racinger përdori dorën e fortë për çrrënjosjen e shkandullit të pedofilisë në Kishën amerikane.
Sot, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi konfirmoi lajmin e dhënë nga Administratori Apostolik i Trondhajmit në Norvegji, për rastin e ish-ipeshkvit të vendit, i akuzuar për abuzim seksual në dëm të një fëmije, që tani është 30 vjeç. Autoritetet kishtare janë njohur me rastin në janar 2009 e menjëherë ipeshkvi është detyruar të japë dorëheqjen, t’i nënshtrohet terapisë mjekësore dhe të mos marrë pjesë në asnjë aktivitet baritor. Për imzot Georg Myler flitet tani, pasi viktima ka dëshiruar gjithnjë të mbetet anonime.








All the contents on this site are copyrighted ©.