Papa në audiencën e përgjithshme: “Kemi nevojë për dëshmitarë entuziastë e guximtarë
të Krishtit të Ngjallur”.
(07.04.2010 RV)“Lajmi i mirë i Pashkëve, kërkon dëshmitarë entuziastë e guximtarë”.
Këtë theksoi sot Papa gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit,
në Vatikan, stolisur me një pranverë të vërtetë lulesh. Benedikti XVI, që arriti
me helikopter nga Kastel Gandolfo, i ftoi besimtarët ta shpallin me bindje më të thellë
fenë e tyre në Krishin e Ringjallur, në një botë ku nuk mungojnë vuajtja, dhuna e
keqkuptimet.
Një lajm i bukur, gazmor, që e mbush botën me hare: kumtimi
i Ringjalljes, i fitores së Krishtit mbi të keqen e mbi vdekjen: “Ky, në
të gjithë historinë e botës, është padyshim ‘lajmi më i mirë’, është Ungjilli, i
kumtuar e i trashëguar në shekuj, brez pas brezi”. Pashkët e Krishtit
janë akti më i lartë e më i paarritshëm i pushtetit hyjnor. Janë ngjarje krejtësisht
e jashtëzakonshme, fryti më i bukur e më i pjekur i misterit të Zotit – shpjegoi Benedikti
XVI – por njëkohësisht ngjallja e Krishtit është edhe fakt historik real, i dëshmuar
e i dokumentuar. Feja jonë – shtoi Papa – bazohet mbi transmetimin e vazhdueshëm e
besnik të këtij ‘lajmi të mirë’, që kërkon dëshmitarë entuziastë e guximtarë, të sigurtë
– nënvizoi Ati i Shenjtë – se Zoti, sot, ashtu si dje, vepron së bashku me dëshmitarët
e tij: “Ky është një fakt, të cilin mund ta vërejmë menjëherë, atje
ku lulëzojnë filizat e paqes së vërtetë e të qëndrueshme, ku impenjimi dhe shembulli
i të krishterëve e i njerëzve vullnetmirë, frymëzohet nga respekti e drejtësia, dialogu
i durueshëm, nderimi i vërtetë për të tjerët, dëshira për të shërbyer pa asnjë interes,
flijimi vetjak e komunitar. Por, për fat të keq, në botë shikojmë edhe shumë vuajtje,
shumë dhunë, shumë mosmarrëveshje”. Prej këndej, urimi i Papës, që Pashkët
të jenë rast i përshtatshëm për ta rizbuluar e për ta shpallur me bindje më të thellë,
besimin në Zotin e Ringjallur: “Ta lemë, pra, Zotin e Ringjallur
t’na i fitojë zemrat". Kështu e përfundoi katekizmin Ati i Shenjtë, pasi
falënderoi aradhet e panumërta të besimtarëve në Krishtin, që nuk e kanë harruar kurrë
se mandati i tyre kryesor është pikërisht të kumtojnë deri në skajet më të largëta
të botës, Zotin e ngjallur.
Gjatë përshëndetjeve përfundimtare në gjuhë të
ndryshme, Benedikti XVI i uroi mirëseardhjen një grupi diakonësh të Kolegjit Papnor
irlandez, të saposhuguruar, duke u kërkuar t’i përngjasin plotësisht Zotit të bindur,
zemërbutë e të përvujtë, e t’i shërbejnë me besnikëri ndërtimit të Kishës së Tij
mbi tokë. Një përshëndetje të përzemërt – përmes agjensisë së shtypit Itar-Tass
- Benedikti XVI ua drejtoi të gjithë rusëve, në atdhe e në botë, duke uruar që Pashkët
e kremtuara me gëzim, sivjet së bashku, t’i forcojnë gjithnjë më shumë lidhjet e vëllazërimit
e të hapin shtigje te reja bashkëpunimi në rrugën e së vërtetës e të dashurisë së
krishterë.