2010-04-07 17:38:43

Kardinali Bertone u shpreh afërsinë e Papës popullsive të Kilit, të dëmtuara nga tërmeti.


(07.04.2010 RV)Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, ndodhet këto ditë për vizitë në Kili, vend i dëmtuar rëndë nga tërmeti i 27 shkurtit të kaluar. Goditje dramatike, që i kushtoi jetën më se 450 njerëzve.
Hirësia e Tij, që dje në vendin latinoamerikan, u prit nga kryeipeshkvi i Santiagos, kardinali Francisco Errazuriz Ossa; nga kryetari i Konferencës ipeshkvnore, imzot Alejandro Goíc Karmelić dhe nga nunci apostolik, imzot Giuseppe Pinto.
Sapo arriti, kujtoi se ishte aty i ngarkuar nga Papa, për t’u shprehur nderimin e dashurinë bashkësive dioqezane, barinjve të tyre, popullit kilian e autoriteteve të tij. Sekretari i Shetit të Vatikanit theksoi edhe se Benedikti XVI i ndoqi nga afër , që nga çasti i parë, ngjarjet tragjike, që jetoi kombi kilian gjatë e pas tërmetit.
Sot kardinali Bertone u takua me presidentin Sebastian Piňera. Veprimtari të tjera të vizitës, që do të përfundojë më 14 prill, do të jenë: Mesha Shenjte, e bashkëkremtuar me prelatët kilianë në Santiago; një Konferencë në qendrën e Universitetit katolik, kushtuar pranisë së krishterimit në Kili; kremtimi, gjatë të cilit vendi do t’i kushtohet Zojës misionare të Karmelit, Pajtore e Kilit, shtatorja e së cilës iu dhurua Kilit nga Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme të 24 marsit të kaluar, për t’i dhënë një hov të ri veprimtarisë misionare.

 
Shtatorja e Zojës së Karmelit, vepër e artistit ekuadorian Rikardo Vilalba, shtegtoi në të gjitha dioqezat, posaçërisht në ato, që u dëmtuan më rëndë nga tërmeti. E Zoja kishte me vete edhe Ungjillin e Kilit. Është fjala për tekstin e Besëlidhjes së Re, shkruar krejtësisht me dorë në shkolla, sheshe, kisha, spitale, burgje, në të katër anët e vendit, deri në skajet më të largëta, si ishulli i Pashkëve e Antartida, rreshti i parë i të cilit është shkruar, edhe ky me dorë, nga vetë Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.