2010-04-05 13:17:22

Ipeshkvi i Kosovës imzot Gjergji: të përtërihemi në dritën e Krishtit


Ta lejojmë Krishtin të përtërij zemrat tona me dritën e dashurisë së Tij Hyjnore, pohon në mesazhin e Pashkëve ipeshkvi i Kosovës imzot Gjergji duke nënvizuar 11 vjetorin e lirisë dhe 2 vjetorin e pavarësisë së Vendit. Imzot Gjergji bën thirrje t’i mposhtim të këqijat që ende sot kërcënojnë jetën e shoqërinë e re të Kosovës. Ta dëgjojmë imzot Dodë Gjergjin....00:04:34:87

 
Porosia e Ipeshkvit Dodë Gjergjit për Pashkë 2010

 
Drejtuar priftërinjve,
motrave të nderit,
besimtarëve dhe
të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë,
“U ngjall Krishti, shpresa ime”
Fort të dashur,
në pritjen e solemnitetit të Festës së Pashkës së Zotit tonë Jezu Krishtit, e ndjej të nevojshme të vij prapë tek ju me zemër të hapur; që të lexoni e të gjeni në të gjithë dashurinë që kam për ju dhe të shpreh edhe njëherë gëzimin tim që dua ta ndaj me ju me rastin e Festë së madhe të Pashkëve, kur ne festojmë dhe dëshmojmë Ngjalljen e Zotit tonë Jezu Krishtit.
Kremtimi solemn dhe festimi plot gëzim i shpëtimit dhe shpërblimit tonë manifeston triumfin e dashurisë së Hyjit tonë ndaj nesh. “Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur (Gjn 3,16). Hyji, Ati ynë qiellor për dashurinë ndaj bijve që i ka në botë e flijoi të Paralindurin. Jemi të thirrur që të gjithë, të përqafojmë me zemër këtë Dashuri të pakufishme që Ati ka shprehur ndaj nesh dhe ta sodisim deri në pafundësitë e thellësisë së zemrës, nga e cila pastaj duhet të burojë përgjigjja, me dashuri ndaj Dashurisë që na u është zbuluar dhe dhuruar neve.
Kisha, në festimin e përvjetshëm të Pashkëve kremton, dëshmon dhe e shpallë solemnisht Ngjalljen e Zotit tonë Jezu Krishtit nga të vdekurit dhe me plot shpresë, gëzueshëm i fton të gjithë njerëzit, që të ecin bashkë me të drejt paqes së vërtetë në liri dhe drejtësi. Papa Benedikti i XVI në porosinë e tij kreshmore na mëson se: falë angazhimit të Krishtit ne mund të jemi pjesë e drejtësisë supreme e cila shfaqet në dashuri, kurse ne duhet të angazhohemi që kjo dashuri, e cila më shumë dhurohet sesa kërkon shpërblim, të ndjehet në çdo zemër, të shihet në çdo gjë dhe të jetë e pranishme në çdo vend,
Mbështetur në dashurinë vetëmohuese të Krishtit për të vulosur drejtësinë e Zotit në zemrat e njerëzve, ne të krishterët besojmë se: Bashkë me të Ringjallurin, kemi rilindur në jetën e re. Kjo vetëdije na shpie përpara dhe na nxitë për të dhënë kontributin tonë në rindërtimin e një shoqërie që bazohet në themelet e së vërtetës dhe të drejtësisë, ku të gjithë do të merrnin të nevojshmen për të jetua me dinjitet, ku sakrifica dhe vetëmohimi do të shndërrohen në dhurim, e drejtësia do të lartësohet në dashuri. Kjo do të na mundësonte të gjithëve, që pa frikë dhe në paqe të jetonim pranë njëri-tjetrit.
Kisha është përpjekur gjithmonë t’i ngushëllojë njerëzit për padrejtësitë dhe dhunën e përjetuar në të kaluarën nga rrëmbyesit e të drejtave tona dhe të tjerëve, nuk duam të heshtim as tani: 11 vite pas Lirisë dhe 2 vite pas Pavarësisë, sepse mbjellësit e padrejtësive, nxitësit e konflikteve, rrëmbyesit e lirive dhe shfrytëzuesit e mundësive tona, edhe pse nuk janë më të njëjtit, lindin ndër ne e po forcohen dita-ditës.
Kjo gjendje, jo që nuk ndjell mirë për një të ardhme më të rehatshme dhe për një jetë të re me shpresë, por, ngulfat iniciativën e të drejtëve, cungon të drejtat e të tjerëve, shuan shpresën e të varfërve dhe i lenë në mjerimin e tyre të sëmuarit dhe të moshuarit.
Me shembullin e drejtësisë dhe të dashurisë, ne ftojmë të gjithë njerëzit vullnetmirë në Kosovë, pa marrë parasysh se çfarë roli kryejnë në shoqëri ose çfarë përgjegjësish kanë për jetën dhe të ardhmen tonë të përbashkët, t’i lejojnë zemrat të transformohen nëpërmjet dashurisë së të Ringjallurit, që është masa më e mirë për drejtësinë që mund ta ushtrojmë ose të drejtat që duhet t’i respektojmë ndaj të tjerëve.
Me këto mendime dhe dëshira: Uroj Pashkët - Ngjalljen e Jezu Krishtit, që për ne ka domethënien e të mirës, të drejtës, të vërtetës, drejtësisë dhe dashurisë, si zgjidhja e vetme për ne dhe për botën e sotme.
Për shumë mot Pashkët!
+ Dodë Gjergji
Ipeshkvi i juaj







All the contents on this site are copyrighted ©.