E Hëna e Engjëllit të Pashkëve rrëfen: misteri i Krishtit të Gjallë përuron një jetë
plotësisht të re.
(05.4.20010 RV)Kremtimi i Pashkëve, pra kremtimi i Krishtit të Gjallë liturgjikisht
zgjatet gjithë javën, kësaj jave, e cila dikur quhej “In Albis”. Besimtarët vijojnë
të kremtojnë edhe të hënën pas Pashkëve, që njihet me emrin e Hëna e Engjëllit, duke
e zgjatur kështu festën, gëzimin e së Kremtes më të madhe të vitit të Ngjallurit të
Krishtit. Po si kremtohet sot e Hëna e Engjëllit? Përgjigje: -
Sot e Hëna e Engjëllit është bërë më tepër festë profane, ka marrë formën e një shëtitjeje
jashtë qytetit e cila, për ata që i kanë kremtuar si duhet Pashkët, është gjë e bukur,
është vijim i gëzimit të festës së ngjalljes. Por për ata që nuk kanë kremtuar kurrfarë
Pashkësh, kurrfarë feste fetare, kjo e hënë sigurisht është e zbrazët e pa kuptim,
sepse do të thotë të festosh në një ditë që nuk dihet ç’ përkujton. Ndërsa për të
krishterët edhe ky gëzim njerëzor bën pjesë në gëzimin e Ngjalljes. Konkretisht, nga
ana liturgjike, vijon kumtimi i Ngjalljes, që këtë herë vjen nga Engjëlli, i cili
u duket grave, e prej këndej dita merr emrin e Hëna e Engjëllit. Java që vjen pas
Pashkëve quhet in Albis, sepse të posa pagëzuarit këtë javë visheshin me të bardha
– e in albis do të thotë “me të bardha” – deri në të dielën e mëpasme. Pyetje:
- Që sot ne kemi para kohën e Pashkëve, që shkon deri në festën e Rrëshajëve. Si duhet
të përgatitemi për këtë solemnitet të madh, për ta pritur denjësisht Shpirtin Shenjt?
Përgjigje:
- Të gjitha këto 50 ditë s’janë tjetër, veçse zgjatje e Pashkëve e në të vërtetë
e gjithë koha e Pashkëve deri në Rrëshajë në lashtësi quhej e Rrëshajëve, dmth festa
e Rrëshajëve ishte festa e 50 ditëve e jo e ditës së 50-të. E gjithë kjo kohë është
kohë e përgatitjes për Rrëshajë. E si duhet të përgatitemi? Kisha na e jep shembullin
duke na vënë në buzë këtë lutje të vazhdueshme: “Eja, eja Shpirti Shenjt! Eja, Shpirti
Krijues!, Eja! Vetëm se ne shpesh herë themi eja, eja, e nuk e kuptojmë ç’po kërkojmë.
Ose themi: Eja Shpirti Shenjt, veç mos prek gjë në jetën time, mos më ndrysho asgjë.
Që të përgatitemi për Rrëshajë, duhet ta lëmë Shpirtin Shenjt të lirë që të ndërhyjë
si të dojë në jetën tonë, e në se i duket e nevojshme, të bëjë edhe ndryshime.
Pyetje:
- Po ç’është, ose më mirë të themi, kush është Shpirti Shenjt?
Përgjigje:
- Shpirti Shenjt është Vetja e tretë e Trinisë, në lidhje trinitare të njëllojtë
me Atin e Birin. Para Krishtit konceptohej pak a shumë si forcë, si rrezatim i Hyjit,
një mënyrë për ta bërë të pranishëm Zotin. Me Krishtin kemi dëftimin e plotë të Trinisë
e prej këndej, edhe të Shpirtit Shenjt, që është i dërguar, që dëshmon, që udhëheq
drejt së vërtetës së plotë. Këto janë tiparet e Shpirtit të Zotit. Bibla flet për
Shpirtin Shenjt përmes figurës së erës, të ujit, të zjarrit, të aromës së këndshme,
ose edhe të pëllumbit, sepse ndryshe nuk mund ta përfytyrojmë. Është një realitet
pastërtish shpirtëror. Teologjikisht Shën Agostini thotë se është dashuri e personifikuar
ndërmjet Atit e Birit. Në se Zoti është dashuri, Shpirti Shenjt është pikërisht lidhja
ndërmjet Atit e Birit, lidhja e dashurisë. Kudo arrin Shpirti Shenjt, arrin dashuria.
E ne kemi tepër nevojë për Të. Sa mirë do të ishte sikur njerëzit ta ndjenin nevojën
për praninë e Shpirtit Shenjt edhe për të jetuar si njerëz. Martesa, për shembull,
që është sakrament dashurie, nuk mund të jetohet, në se në një mënyrë a në një tjetër
nuk është e pranishme dhurata e Shpirtit Shenjt, që është dhuratë e Zotit dhe e pajis
njeriun me aftësinë të dhurojë vetveten si në martesë, ashtu edhe në mjediset tjera
të jetës. Oh, sa mirë do të ishte sikur ne ta njihnim më mirë Shpirtin Shenjt, ndoshta
kështu jeta do të ishte më pak monotone nga ç’është tani, sidomos për të krishterë.