(04.04.2010 RV)"Stiki" e "Stikirà" është teksti i këngës së liturgjisë bizantine
të Pashkëve, që u këndua para Papës në Meshën e Natës së Pashkëve:
Çohet Zoti
e armiqtë e tij shemben përdhe, të mundur. Sot pamë Ngjalljen e Zotit, Pashkët
hyjnore, Pashkët e reja, të shenjta, Pashkë misterioze, Pashkë tejet solemne. Pashkët
e Krishtit Shëlbues. Pashkë të papërlyera, Pashkë të mëdha, Pashkët e besimtarëve. Pashkë
që na hapin portat e Parajsës; Pashkë që i shenjtërojnë të gjithë ata, të cilët besojnë
në Krishtin e ngjallur! Si shpërndahet tymi në hapësirë, ashtu Ti i shkapërndan
armiqtë e tu. Hë, ju, gra ungjillore, ejani nga vegimi e thoni Sionit: “Po të
sjellim lajmin e gëzimit, lajmin e Ngjalljes së Krishtit! Gëzoju, ngazëllo, galdo
Jeruzalem, duke kundruar mbretin tënd, Krishtin, që del nga Varri si dhëndërr. U
shofshin të pashpirtët para Zotit, të drejtët galdofshin! Gratë mirofore 1
në ag të ditës së re shkuan tek varri i Jetëdhënësit e gjetën një Engjëll ulur mbi
gur, që u foli e u tha: Pse e kërkoni të Gjallin ndërmjet të vdekurve? Pse e vajtoni
të pakalbshmin, si të ishte duke u kalbur nën dhe? Shkoni e kumtojani dishepujve të
tij! Kjo është dita e bërë nga Zoti, të gëzohemi e të galdojmë në të! Pashkë
mahnitëse, Pashkët e Zotit, Pashkë! Pashkët e shenjta aguan për ne. Pashkë! Ta përqafojmë
me hare njëri-tjetrin. Sepse Pashkët i japin fund trishtimit! Sepse sot Krishti,
duke dalë rrezëllues nga varri, si dhëndrri nga gjerdeku, i mbushi gratë plot me gëzim,
duke u thënë: Çojani lajmin e madh apostujve! I qoftë lumni Atit e të Birit
e Shpirtit Shenjt; si ka qenë n’e parë, tash e përgjithmonë e jetës! Amen. Është
dita e ringjalljes. Ta mbushim botën me rrezet e gëzimit të festës, të rrokemi me
njëri tetrin, ta quajmë njeri-tjetrin ‘vëlla’. Vëlla, atë që e duam; vëlla edhe atë,
që na urren. T’i falim të gjithë, për hir të ringjalljes e të ngjitet deri në qiell
brohoria jonë e festës: “Krishti u ngjall prej së vdekurish, me vdekjen e tij,
e mundi vdekjen! E të vdekurve ndër varre u dha përsëri jetë! “Stiki” janë
vargjet e Psalmit 67(68), të cilat gërshetohen me troparet, me ‘stikirà’, vargje teologjike
e poetike, që i këndojnë ngjalljes së Zotit dhe gëzimit të Pashkëve të krishtera.
Këndohen zakonisht në Natën pa gjumë të Pashkëve bizantine, në përfundim të lavdeve
të natës, para se të kremtohet liturgjia hyjnore. Përsëriten, pastaj, në kremtimitn
e mbrëmësoreve, gjatë shpalljes së Ungjillit të Ngjalljes (Gjn. 20,19-25). Janë
tekstet më të bukura, më poetike e më lirike të liturgjisë së Pashkëve. Jehon, përmes
tyre, kumtimi gazmor i Ngjalljes së Zotit. Varianti i sotëm i përket shekullit VI-VII,
por në të ndjehen fort motivet teologjike të Etërve lindorë. “Stikirà” këndojnë
gëzimin e Kishës për ngjalljen e Zotit, mister qëndror i fesë e i jetës; janë him
i fitores, motiv i shpresës të patundur, ftesë për vëllazërim universal, thirrje për
faljen e armiqve, grishje për shkëmbimin e përqafimit të paqes në Krishtin i cili,
me përshëndetjen e tij të Pashkëve, u prin të gjithëve drejt pajtimit me Atin. Siç
ndodhi në Pashkët e viteve 1988 e 1990, kur Solemniteti u kremtua njëkohësisht në
Perëndim e në Lindje, edhe sivjet ‘stiki’ e ‘stikira’, tekstet poetike të Pashkëve,
u kënduan para Papës menjëherë pas shpalljes së Ungjillit. Kori këndoi strofën
e parë, të katërt e të pestë, me melodinë e këngës së lashtë ruse, harmonizuar nga
Gregorij Fjodoroviç Ljovski (1830-1894) dhe përfundoi me troparin e Pashkëve, të përsëritur
tri herë. Kështu sivjet këndët e Lindjes e të Perëndimit, të liturgjisë romake
e asaj bizantine, shpallën njëherësh besimin në Ngjalljen e Zotit! Ndjehet fort,
kështu, urimi me të cilin Gjon Pali II hapi Mijëvjeçarin e tretë: që Kisha të marrë
frymë me të dyja mushkëritë, duke formuar një korp të vetëm, Korpin e Krishtit. ____ 1
Të dielën e tretë të Pashkëve, në traditën bizantine meditohet përsëri për agimin
e Solemnitetit, në një këndvështrim tejet të veçantë - siç na e kujton sinassari (përmbledhja
e jetëve të shenjtorëve ortodoksë) - përkujtohet Shën Jozefi i Arimatesë, Nikodemi
e, sidomos, gratë mirofore, ato që, pasi shkuan te Varri i Krishtit e e gjetën
të zbrazët, u kumtuan apostujve lajmin e madh të Ngjalljes. Këtë të dielë paraqiten
dy perikopé ungjillore: e para lexohet në mëngjes, e është tregimi i ngjarjes, simbas
Lukës (Lk 24, 1-12).