2010-04-04 16:39:01

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(04.04.2010 RV)Sot e diel, Kisha katolike kremtoi solemnitetin e Pashkëve.
Nesër, e hënë, atmosfera e Pashkëve vijon me tetëditshin e Festës së madhe. Ashtu si në zanafillë të Kishës, edhe sot e kësaj dite, kumtimi i Apostujve përqendrohet mbi ngjalljen e Krishtit, ngjarje e paparashikueshme dhe e papërfytyrueshme për mendjen njerëzore. Kremtohet e Hëna e Engjëllit. Përkujtohen edhe Shën Vinçenci Ferrer e Shën Irena, virgjër e martire.

E martja e tetëditshit të Pashkëve, është edhe festë liturgjike e Shën Galës, vejushë romake dhe e Shën Pjetrit nga Verona, domenikan e martir. Na kujtojnë se, që të lindë feja, nuk mjafton vetëm varri i zbrazët; besimi i vërtetë lind e lulëzon nga takimi me Krishtin. Nga shenjat që pamë, duhet të kalojmë tek prania e gjallë e Zotit në zemrat tona.

E mërkura e tetëditshit të Pashkëve na fton të meditojmë për lutjen e besimtarëve: kur kalon çaste të vështira, i krishteri nuk u drejtohet magjistarëve, as besimtarëve hipokritë, që mbahen si shenjtorë, por ia drejton lutjen e vet Zotit, sepse vetëm Ai mund të bëjë mrekulli. Ai e shenjtorët, që ndërmjetësojnë pranë Tij për ne. Sot – Shën Gjoni de la Sale, themelues i shkollave të krishtera.

Të enjten e tetëditshit të Pashkëve jehon rishtas gëzimi i ngjalljes së Krishtit. E kumton, në liturgji, Shën Pjetri, i cili na kujton se ngjallja e Krishtit, bekim për të gjithë njerëzit, kërkon pendesë, kthim në rrugën e Zotit. Është festa përkujtimore e Shën Dionisit, ipeshkëv i Korintit.

Liturgjia e së premtes së tetëditshit të Pashkëve, festë përkujtimore e Shën Liborit, ipeshkëv i Lë Mans, na fton të meditojmë mbi mësimin e madh të Ungjillit, me vlera aktuale për të gjitha kohët: “Guri, që ndërtuesit e flakën, erdhi e u bë guri i këndit (Ps. 117). Çështja e Jezusit nuk përfundon me vdekjen në kryq, por me ngjalljen e Tij. E gëzimin për ringjalljen mund ta provojë vetëm ai, që ia hap zemrën fjalës së Zotit, ai që ia vë veshin zërit të Tij e që jeton me sytë drejtuar nga Kryqi i Tij.

E shtuna e tetëditshit të Pashkëve na kujton se feja nuk duhet të mbetet në heshtje, nuk duhet mbajtur vetëm për vete. Duhet kumtuar me gjithë forcën e besimit e, sidomos, duhet jetuar ditë për ditë, duke e dëshmuar më shumë me vepra, sesa me fjalë. Është festa e Shën Magdalenës nga Kanosa, virgjër, themeluese e Bijve e Bijave të dashurisë së krishterë.

E diela e ardhshme, e dyta e Pashkëve, i kushtohet Mëshirës Hyjnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.