2010-04-04 16:59:17

Në Sheshin e Shën Pjetrit lulëzon pranvera e Pashkëve të reja


(04.04.2010 RV)Kanë kaluar 25 vjet nga Pashkët e para, kur Sheshi i Shën Pjetrit u stolis me lule shumëngjyrëshe, ardhur nga Holanda. Zbukurimi me lulet e para të pranverës e me drunj dekorativë kopshti, tashmë tradicional, nisi në vititn 1985. Ndërmjet ngjyrave të shumta, spikasin e bardha dhe e verdha, për ta shpallur me forcë të re lajmin e ringjalljes, të dritës e të gëzimi, që buron nga Pashkët e Krishtit.
25 mjeshtër në kompozimin e luleve dhe kopshtarë punuan me ritëm të plotë, për t’i mbuluar shkallët e gurta të tremes së Bazilikës, me bar të njomë, mbi të cilin mbollën 22.500 lule e 1.500 bimë e drunj, në lulëzim të harlisur. Dhjetra kompozicione renditen rreth elterit, mbi shkallët e mbi ballkonin, prej nga Papa i drejtoi mbarë botës mesazhin e Ngjalljes së Krishtit. Harmonizohen me hijeshi të jashtëzakonshme e me art, zymbylat, 360 bimë, ngjyrë trëndafili, të bardhë, vjollcë, blu e 10 mijë tulipane të të njëjtave ngjyra, që lulëzojnë pranë e pranë me narcizet, azaletë, pastaj me kumbullat e drunjtë e tjerë, përplot me lule, me lartësi deri në 2,5 metra.
Shkëlqim e forcë i jep kjo pranverë në miniaturë, Sheshit madhështor, shumëshekullor, që ka parë aq shumë kremtime, lule, njerëz…
Miliona teleshikues nga mbarë bota ndjekim çdo vit kremtimin e Meshës Shenjte të Pashkëve. Me këtë rast, mund të admirojnë edhe shkëlqimin e forcën e madhe emocionuese, që kanë lulet e pemët zbukuruese. Me dy fjalë, Mesha e Pashkëve kremtohet në një skenografi , e cila i nderon kultivuesit holandezë të luleve, me të cilat kënaqet këto ditë mbarë bota, drejpërdrejt e në televizion. Mjeshtri i parë, realizues i një skenografie të tillë, është kompozitori i luleve Nic van der Voort, ftuar në Romë me rastin e lumnimit të meshtarit holandez, Titus Brandsma. Që atëherë lindi tradita e zbukurimit të Sheshit të Shën Pjetrit, që sot përkoi aq mrekullisht me mesazhin, plot me shpresën e një pranvere të re, sidomos shpirtërore, të solemnitetit të Pashkëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.