2010-04-04 16:31:29

Në mesazhin ‘Urbi et Orbi’ Papa kërkon kthesën e njerëzimit “nga kriza e thellë” me shpresën e Pashkëve! Në Meshë, fjalët e Kardinalit Sodano: “Atë i Shenjtë, Kisha është me ju!”.


(04.04.2010 RV)Zonat më të vështira të botës janë në zemrën e Papës i cili, pas Natës pa gjumë të Pashkëve dhe Meshës Shenjte, kremtuar sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në përshndetjen ‘Urbi et Orbi’ – Romës e Botës, u ndalua posaçërisht në Lindjen e Mesme, në Irak e Pakistan, në vendet latinoamerikane e karaibike e, sidomos në ato afrikane, duke denoncuar padrejtësitë ekonomike, tregtinë e drogës dhe persekutimet. I kërkoi njerëzimit të bëjë kthesën e madhe, për të cilën na fton të gjithëve Krishti i Ngjallur.
Tejet domethënëse, në Meshë, urimet që i bëri Papës Kardinali Sodano, Dekan i Kolegjit Kardinalor.

 
Edhe në ditët tona njerëzimi ka nevojë për ‘dalje’, jo për ndreqje artificiale, por për kthesë të vërtetë shpirtërore e morale. Ka nevojë për shëlbimin e Ungjillit, që të dalë nga kriza e thellë e cila, si e tillë, kërkon edhe ndryshime të thella, duke nisur nga ndërgjegjet! Pashkët nuk bëjnë kurrfarë magjie - shprehet qartë Benedikti XVI - duke u bërë, kështu, të gjithëve, thirrje të reflektojnë për vlerën e madhe e të vërtetë të Pashkëve: vdekja e Ngjallja e Krishtit, që fitoi mbi mëkatin, e ndryshoi rrjedhën e historisë. Njerëzimi lidhi një besë të re e të amshuar, që ia hap të gjitha rrugët drejt së ardhmes:
“Ashtu si hebrenjtë, që përtej Detit të Kuq gjetën shkretëtirën, edhe Kisha, pas Ringjalljes, gjen gjithnjë historinë, me gëzimet e veta e shpresat e veta, me dhimbjet e veta e me ankthet e veta. E, megjithatë, kjo histori ndryshoi, lidhi një besë të re e të amshuar, i hapi të gjitha rrugët drejt së ardhmes. Prandaj, të shpëtuar përmes shpresës, vijojmë shtegtimin tonë, në sa zemrat janë plot me këngën e lashtë, e gjithnjë të re: “T’i këndojmë Zotit: mrekullisht ngadhënjeu!”.
“T’i këndojmë Zotit; mrekullisht ngadhënjeu. Kalë e kalorës i flaku në fund të detit”. Është kënga e hebrenjve, pas kalimit të Detit të Kuq, kënga që e përsërisim gjatë Natës së pagjumë të Pashkëve, me vetëdijën se Pashkët hapin rrugën e shëlbimit për të gjithë popujt. E Benedikti XVI kujton se me vdekjen e Ringjalljen e vet, Jezu Krishti e çliroi njeriun nga skllavëria e plotë, ajo e mëkatit, dhe i hapi udhën drejt Tokës së premtuar, Mbretërisë së Hyjit, Mbretërisë universale të drejtësisë, të dashurisë e të paqes. ‘Dalja’ – nënvizon Papa - nis, para së gjithash, në zemrën e njeriut, i cili lind rishtas në Shpirtin Shenjt, si pasojë e Pagëzimit, që Krishti na e dhuroi pikërisht në misterin e Pashkëve. Kjo ngjarje ia ndryshoi një herë e përgjithmonë drejtpeshimin historisë, duke e bërë të anojë nga e mira, nga jeta, nga falja. Jemi të lirë, jemi të shëlbuar! Është, pra, dalje nga dhuna, në paqe, në atë paqe të cilën Benedikti XVI ua uron trojeve të martirizuara, duke nisur nga Lindja e Mesme:
“I lutem Zotit Jezus që në Lindjen e Mesme, e posaçërisht në Tokën e shenjtëruar nga vdekja e ngjallja e tij, Popujt të ‘dalin’ vërtetë e përfundimisht nga lufta e nga dhuna, për të hyrë në paqe e harmoni. Për bashkësitë e krishtera të cilat, posaçërisht në Irak, kalojnë prova e mundime, uroj që i Ngjalluri t’u përsëritë fjalën e ngarkuar me ngushëllim e guxim, të cilën ua pati drejtuar Apostujve në Çenakull: “Paqja me ju!”.
Vendeve të Amerikës Latine e të Karaibeve, të vëna në provë nga shtimi i krimeve, që lidhen me tregtimin e drogës - Papa u uron që Pashkët e Krishtit t’u sjellin fitoren e bashkëjetesës paqësore e të respektit, për të mirën e përbashkët. Qytetarëve të dashur kilianë, të ligështuar nga katastrofa e rëndë, por të përforcuar nga feja, u uron ta përballojnë me guxim veprimtarinë e rindërtimit:
“Uroj që popullsia e dashur e Haitit, e shkatërruar nga tragjedia e madhe e tërmetit, ‘të dalë’ nga morti e nga dëshpërimi, për të hyrë në rrugën e shpresës së re, e mbështetur nga solidariteti ndërkombëtar”.
Urimi për Afrikën pastaj: “Me forcën e Jezusit të Ngjallur – thotë Papa – uroj që Afrika të dalë nga konfliktet, të cilat vijojnë t’i shkaktojnë shkatërrim e vuajtje e të sigurojë atë paqe e atë pajtim, që janë garanci për zhvillimin. Posaçërisht ia besoj Zotit ardhmërinë e Republikës Demokratike të Kongos, të Guinesë e të Nigerisë. E mendimi i Papës shkon kryesisht tek të krishterët që, për shkak të fesë së tyre, përballojnë persekutime e vdekje, si në Pakistan, duke uruar edhe që vendeve të tronditura nga terrorizmi e nga diskriminimi shoqëror e fetar, Krishti t’u japë forcë për të ecur në rrugën e dialogut e të bashkëjetesës paqësore:
“Udhëheqësve të të gjitha Kombeve, Pashkët e Krishtit u sjellshin dritë e forcë që, më në fund, ta vendosin veprimtarinë ekonomike e financiare mbi bazën e kritereve të së vërtetës, të drejtësisë e të ndihmës vëllazërore. Forca shëlbuese e ngjalljes së Krishtit i dhëntë fuqi mbarë njerëzimit t’i kapërcejë shprehjet e shumta e tragjike ‘të kulturës së vdekjes’, që përpiqet ta pushtojë botën, e të ndërtojë ardhmërinë e dashurisë e të vërtetësisë, në të cilën çdo jetë njerëzore respektohet e mirëpritet”.
Përplot me shpresën e Krishtit të ngjallur, urimet në gjuhë të ndryshme. Në gjuhën neerlandeze, apo fiaminge, një falënderim për lulet e dërguara nga Vendet e Ulëta, që zbukuruan mahnitshëm Sheshin e Shën Pjetrit, sot të rrahur nga një shi i butë pranveror.
Ndërmjet përshëndetjeve në gjuhët më të njohura e më të përdorura të botës, edhe urimet në gjuhët më pak të njohura, me të cilat e lavdërojnë Krishtin popuj të largët e gjysëm të harruar nga bota, por jo nga Papa: nga kirundi e kiniarvanda, në kaukazishte, në serbishte e në shqip:
Për shumë vjet Pashkët RealAudioMP3
Chrystus z mortwych stanył.RealAudioMP3
Иса тірілпті RealAudioMP3
Para Bekimit ‘Urbi et Orbi’, u kremtua në Vatikan Mesha e Ditës së Pashkëve. Në fillim të kremtimit, Kardinali Anxhelo Sodano, Dekan i Kolegjit Kardinalor, i bëri Papës urimet, duke i shprehur posaçërisht afërsinë e tij e të kardinajve: “Ne shtrëngohemi rreth Jush. Ju jemi thellësisht mirënjohës për forcën e shpirtit dhe për guximin apostolik, me të cilin kumtoni Ungjillin e Krishtit. Është me ju edhe populli i Zotit që - thekson Kardinali Sodano- nuk trembet nga thashethemnaja e çastit e nga provat, që herë pas here e godasin bashkësinë e besimtarëve. E – vijon Dekani i Kolegjit Kardinalor – me ju janë kardinajtë, bashkëpunëtorët tuaj në Kurien Romake. Me ju janë bashkëvëllezërit Ipeshkvij, të shpërndarë në të katër anët e botës, që u prijnë 3 mijë rretheve kishtare të Planetit. Janë posaçërisht me ju, në këto ditë, katërqind mijë meshtarë, që i shërbejnë bujarisht popullit të Zotit në famulli, në shkolla, në oratore, në spitale e në mjedise të panumërta, ashtu si edhe në misione, deri në skajet më të largëta të botës. Kardinali Sodano pohon se Papa, të Enjten e kaluar, gjatë kremtimit të Meshës për Bekimin e Vajrave të Shenjta, kujtoi se Pjetri e pëshkruante kështu sjelljen e Krishtit gjatë mundimeve: “i tallur, nuk u përgjigjet talljeve, i keqtrajtuar, nuk kërkon hakmarrje, por ia beson vetveten Atij, që gjykon me drejtësi”.
Në këtë Solemnitet Pashkësh – siguron Kardinali Sodano – ne lutemi për Ju, që Zoti, Bariu i Mirë, të vijojë t’ju mbështesë në misionin Tuaj në shërbim të Kishës e të Botës.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.