2010-04-04 12:46:26

Në Jeruzalem Pashkët kremtohen me gëzim nga banorët vendas e shtegtarët


(04.04.2010 RV)Në Jeruzalem që dje nisi të jehonte Alleluja. Çast tejet prekës, atje ku u ngjall Jezusi e ku vijojnë lutjet për paqe në Tokën Shenjte.
Kremtimi i parë i Pashkëve të Zotit u ndoq në zemër të Qytetit të Shenjtë, pikërisht atje, ku Krishti u ngjall, në Anastasis, siç e quajnë grekët. Liturgjia solemne, sipas ritit romak, filloi në këmbët e Kalvarit, me bekimin e zjarrit të ri, me lutjen mbi qiriun e Pashkëve, me tetë leximet në gjuhën latine dhe me shpalljen e Ungjillit para Varrit të të Ngjallurit. Kumti i Ngjalljes tundi harqet e bazilikës madhështore pak para orës 6.30 me orën vendase. Bazilika e Ringjalljes, për arsye të statukuo, gëzon të drejtën ta kremtojë e para fitoren e jetës mbi vdekjen. E kryesuar nga patriku i Jeruzalemit të Latinëve, imzot Fuad Tual, Nata pa gjumë e Pashkëve u kremtua rreth elterit, ku ruhet relikja e varrit të vërtetë, të zbrazët, të Zotit.
Morën pjesë rreth 200 besimtarë, që arritën të shoqëruar nga policia. Qyteti i Vjetër është plot me ortodoksë, shumica të ardhur nga Greqia e nga Evropa lindore, të cilët po marrin pjesë në të gjitha kremtimet sipas ritit ortodoks, duke nisur nga kremtimi i ndezjes së zjarrit të shenjtë, simbol i dritës, që del nga Varri i Krishtit ditën e ngjalljes.
Dje Jeruzalemi ishte akoma i zhytur në heshtjen, me të cilën mbyllen kremtimet e Pashkëve hebraike. Kjo heshtje përfundon me brohorinë e të krishterëve, kur në qytet dëgjohet përshëndetja, në gjuhën arabe e greke: “Ha Massiah qam; Christos anésti; Cristo è risorto – Krishti u ngjall!”.
Por për kremtimin e Pashkëve në Jeruzalem, të dëgjojnë Atë Pierbatista Picabalën, Rojtar françeskan i Tokës Shenjte, me telefon nga Jeruzalemi.RealAudioMP3

Përgjigje: - Shpresojmë se Jezusi, që vdes e ngjallet pikërisht këtu, në Jeruzalem, do t’i ftojë të gjithë njerëzit, të cilët banojnë këtu, të pajtohen e të jetojnë një jetë më të qetë, duke e pranuar e duke e dashur njëri-tjetrin.

Pyetje: - Atë Picabala, si kremtohet Java e Madhe në Jeruzalem?

Përgjigje: - Liturgjia në Jeruzalem, gjatë Javës së Madhe, është gjithnjë në lëvizje: zhvendoset nga vendi në vend, pikërisht për të kujtuar ngjarjet e ndryshme: nga Gjetsemani, në Çenakull, në Varrin e Zbrazët, në Malin e Ullinjve e kështu me radhë.

Pyetje: - Ç’ mesazh u drejton Toka e Shenjtë të krishterëve për solemnitetin e Pashkëve?

Përgjigje: - Nuk është përkujtim i ngjarjes, që ndodhi dymijë vjet më parë. Është edhe kjo, por sidomos, ftesa për të shkuar atje, ku Jezusi na paraprin, e na paraprin kudo, në Galile e në mbarë botën. Mesazhi i Pashkëve është pikërisht ky: paqe e gëzim! Jezusi, që hyn në Çenakull, i përshëndet dishepujt e frikësuar pikërisht me fjalët “Paqja me ju!”.

Pyetje: - Për Pashkë, Tokën Shenjte e vizitojnë shumë shtegtarë. A e ndihmon kjo bashkësinë e krishterë vendase?

Përgjigje: - Natyrisht po, Qyteti i vjetër i Jeruzalemit është përplot me shtegtarë e parashikimet, në këtë drejtim, janë shumë të mira; parashikohet jo vetëm rikthimi i shtegtarëve, por edhe rikthimi i mundësisë për të punuar, për shumë familje vendase.

Pyetje: - Atë Picabala, edhe në atmosferën e Pashkëve ndjehet thellimi i krizës në Lindjen e Mesme. Ç’mendoni ju për këtë situatë?

Përgjigje: - Situata nuk është e mirë, sigurisht. Marrëdhëniet ndërmjet izraelitëve e palestinezëve vijojnë të keqësohen, në Tokën Shenjte e në mbarë Lindjen e Mesme. Ndjehet fort klima e tensionit, e edhe e lodhjes. Për fat të keq, nuk parashikohen ndryshime të shpejta, në kuptimin pozitiv të fjalës. Mendoj se duhet një ndërhyrje energjike e bashkësisë ndërkombëtare, për të siguruar pakëz më shumë stabilitet. E kjo, mendoj, do të vonojë shumë, sepse në horizont nuk duket asgjë e re!







All the contents on this site are copyrighted ©.