2010-04-04 12:25:23

Mesazhi dhe Bekimi "Urbi et Orbi" - "Romës e Botës" (tekst i plotë).


(04.04.2010 RV)“Cantemus Domino: gloriose enim magnificatus est”.
“T’i këndojmë Zotit: mrekullisht ngadhënjeu!” (Liturgjia e orëve, Pashkë, Zyra e Leximeve, Ant.1)
Të dashur Vëllezër e Motra,
Ju sjell kumtin e Pashkëve me këto fjalë të Liturgjisë, të cilat na kujtojnë himinin e lashtë të lavdisë, që kënduan hebrenjtë pas kalimit të Detit të Kuq. Rrëfen Libri i Daljes (cfr 15, 19-21), se kur patën kaluar detin në të thatë e panë si egjiptianët plandoseshin në fund të ujit, Miriami - motra e Moisiut dhe e Aronit – e gratë e tjera, kënduan, duke vallëzuar, këtë këngë ngazëllimi:
“T’i këndojmë Zotit; mrekullisht ngadhënjeu. Kalë e kalorës i flaku në fund të detit”.
Të krishterët e botës mbarë e përsërisin këtë këngë gjatë Natës së pagjumë të Pashkëve e një lutje e posaçme na e shpjegon kuptimin e saj: është lutje të cilën, në dritën e plotë të Ngjalljes, e bëjmë me gëzim tonën: “O Hyj, shikojmë si shkëlqejnë edhe sot mrekullitë tuaja; atë që bëre me krahun tënd të pushtetshëm për të çliruar një popull të vetëm nga zgjedha e faraonit, tani e bën përmes ujit të Pagëzimit, për shëlbimin e të gjithë popujve; premto që mbarë njerëzimi të pranohet ndërmjet bijve të Abrahamit e të marrë pjesë në dinjitetin e popullit të zgjedhur”.

Ungjilli na rrëfeu si përmbushen premtimet e lashta: me vdekjen e ringjalljen e vet, Jezu Krishti e çliroi njeriun nga skllavëria e plotë, ajo e mëkatit, dhe i hapi udhën drejt Tokës së premtuar, Mbretërisë së Hyjit, Mbretërisë universale të drejtësisë, të dashurisë e të paqes. Kjo ‘dalje’ nis, para së gjithash, në zemrën e njeriut, i cili lind rishtas në Shpirtin Shenjt, si pasojë e Pagëzimit, që Krishti na e dhuroi pikërisht në misterin e Pashkëve. Njeriu i vjetër ia lëshon vendin njeriut të ri; jeta e mëparshme mbetet pas, mund të ecet në udhët e një jete të re (cfr. Rm 6,4). Por ‘dalja’ shpirtërore është zanafillë e çlirimit të gjithanshëm, që përtërin çdo përmasë njerëzore, personale e shoqërore.

Po, vëllezër, Pashkët janë e vetmja rrugë shpëtimi për njerëzimin! Në se Krishti – Qengji i Hyjit – nuk do ta kishte derdhur Gjakun e vet për ne, nuk do të kishim asnjë shpresë, fati ynë e i botës mbarë do të ishte vdekja e pashmangëshme. Por Pashkët e përmbysën këtë prirje: Ngjallja e Krishtit është krijesë e re; është si shartimi, që e përtërin gjithë bimën. Kjo ngjarje ia ndryshoi një herë e përgjithmonë drejtpeshimin historisë, duke e bërë të anojë nga e mira, nga jeta, nga falja. Jemi të lirë, jemi të shëlbuar! Ja pse nga thellësitë e zemrës galdojmë: “T’i këndojmë Zotit: mrekullisht ngadhënjeu!”

Populli i krishterë, i dalë nga uji i Pagëzimit, është i ftuar në mbarë botën ta dëshmojë këtë shëlbim, t’ia çojë të gjithëve frytin e Pashkëve, që është jeta e re, e çliruar nga mëkati, së cilës i rikthehet bukuria zanafillës, mirësia e vërtetësia. Gjatë dymijë vjetëve, vazhdimisht, të krishterët - e posaçërisht shenjtorët - e fekonduan historinë me përvojën e gjallë të Pashkëve. Kisha është populli i daljes, sepse e jeton vazhdimisht misterin e Pashkëve dhe e përhap forcën e tij përtëritëse në çdo kohë e në çdo vend. Edhe në ditët tona njerëzimi ka nevojë për ‘dalje’, jo për ndreqje artificiale, por për kthesë të vërtetë shpirtërore e morale. Ka nevojë për shëlbimin e Ungjillit, që të dalë nga kriza e thellë e cila, si e tillë, kërkon edhe ndryshime të thella, duke nisur nga ndërgjegjet.

I lutem Zotit Jezus që në Lindjen e Mesme, e posaçërisht në Tokën e shenjtëruar nga vdekja e ngjallja e tij, Popujt të ‘dalin’ vërtetë e përfundimisht nga lufta e nga dhuna, për të hyrë në paqe e harmoni. Për bashkësitë e krishtera të cilat, posaçërisht në Irak, kalojnë prova e mundime, uroj që i Ngjalluri t’u përsëritë fjalën e ngarkuar me ngushëllim e guxim, të cilën ua pati drejtuar Apostujve në Çenakull: “Paqja me ju!”.

Vendeve të Amerikës Latine e të Karaibeve, të vëna në provë nga shtimi i krimeve, që lidhen me tregtimin e drogës, Pashkët e Krishtit u sjellshin fitoren e bashkëjetesës paqësore e të respektit, për të mirën e përbashkët. Uroj që popullsia e dashur e Haitit, e shkatërruar nga tragjedia e madhe e tërmetit, ‘të dalë’ nga morti e nga dëshpërimi, për të hyrë në rrugën e shpresës së re, e mbështetur nga solidariteti ndërkombëtar. Qytetarët e dashur kilianë, të ligështuar nga katastrofa e rëndë, por të përforcuar nga feja, i uroj ta përballojnë me guxim veprimtarinë e rindërtimit.

Me forcën e Jezusit të Ngjallur, uroj Afrika të dalë nga konfliktet, të cilat vijojnë t’i shkaktojnë shkatërrim e vuajtje e të sigurojë atë paqe e atë pajtim, që janë garanci për zhvillimin. Posaçërisht ia besoj Zotit ardhmërinë e Republikës Demokratike të Kongos, të Guinesë e të Nigerisë.

Krishti i Ngjallur i ndihmoftë të krishterët që, për shkak të fesë së tyre, përballojnë persekutime e vdekje, si në Pakistan. Vendeve të tronditura nga terrorizmi e nga diskriminimi shoqëror e fetar, Krishti u dhëntë forcë për të ecur në rrugën e dialogut e të bashkëjetesës paqësore. Udhëheqësve të të gjitha Kombeve, Pashkët e Krishtit u sjellshin dritë e forcë që, më në fund, ta vendosin veprimtarinë ekonomike e financiare mbi bazën e kritereve të së vërtetës, të drejtësisë e të ndihmës vëllazërore. Forca shëlbuese e ngjalljes së Krishtit i dhëntë fuqi mbarë njerëzimit t’i kapërcejë shprehjet e shumta e tragjike ‘të kulturës së vdekjes’, që përpiqet ta pushtojë botën, e të ndërtojë ardhmërinë e dashurisë e të vërtetësisë, në të cilën çdo jetë njerëzore respektohet e mirëpritet.
 Të dashur vëllezër e motra! Pashkët nuk bëjnë kurrfarë magjie. Ashtu si hebrenjtë, që përtej Detit të Kuq gjetën shkretëtirën, edhe Kisha, pas Ringjalljes, gjen gjithnjë historinë, me gëzimet e veta e shpresat e veta, me dhimbjet e veta e me ankthet e veta. E, megjithatë, kjo histori ndryshoi, lidhi një besë të re e të amshuar, i hapi të gjitha rrugët drejt së ardhmes. Prandaj, të shpëtuar përmes shpresës, vijojmë shtegtimin tonë, në sa zemrat janë plot me këngën e lashtë, e gjithnjë të re: “T’i këndojmë Zotit: mrekullisht ngadhënjeu!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.