Krishti u Ngjall! Vërtetë u Ngjall! Aleluja! Për shumë vjet Pashkët.
Vëllezër e motra dhe dëgjues të nderuar të Radio Vatikanit, Krishti u Ngjall!
Paqja e të Ngjallurit qoftë me ju! Kremtojmë sot misterin e madh, themelin e fesë
e të shpresës së krishterë: Jezusi i Nazaretit, i Kryqëzuari, u Ngjall prej së vdekuri
në të tretën ditë, sipas Shkrimeve. Lajmin që engjëjt i dhanë Marisë nga Magdala dhe
grave që kishin rendur tek varri në agimin e ditës së parë pas së shtunës, e dëgjojmë
edhe sot me emocion: “Pse e kërkoni të gjallin ndër të vdekur? Nuk është këtu! Është
ngjallur!”. (Lk. 24, 5-6).
Nuk është e vështirë të përfytyrojmë çka ndjenë
atë çast këto gra: trishtim e tronditje për vdekjen e Zotit të tyre, mosbesim e habi
për faktin aq të jashtëzakonshëm e aq të vështirë për t’u besuar. Gjithsesi varri
ishte i hapur, i zbrazët: trupi nuk ishte më aty. Pjetri e Gjoni, të njoftuar nga
gratë, vrapuan tek varri dhe vërtetuan se ato kishin të drejtë. Besimi i Apostujve
në Jezusin, në Mesinë e pritur, ishte vënë në provën e vështirë të shkandullit të
kryqit. Në sa arrestohej, dënohej e vdiste, ata qenë shpërndarë, ndërsa tani ishin
përsëri bashkë, të pavendosur, të çorientuar. Por vetë i Ngjalluri erdhi t’i takonte
e t’u shuante etjen plot mosbesim, për të qenë të sigurtë. Nuk ishte ëndërr, as shpresë
e kotë e as përfytyrim subjektiv ky takim; ishte i vërtetë, edhe pse i papritur e
pikërisht për këtë, edhe më prekës. “Jezusi erdhi, u ndal midis tyre e u tha: “Paqja
qoftë me ju!”. (Gjn 20,19)
Pas këtyre fjalëve, feja gati e shuar në shpirtrat
e tyre, u ndez përsëri. Apostujt ia treguan këtë Tomës, që nuk ishte i pranishëm në
atë çast të jashtëzakonshëm: Po, Zoti e përmbushi premtimin që na pati bërë; vërtetë
u ngjall e ne e pamë dhe e prekëm! Kështu thanë Apostujt, por Toma vijoi të dyshonte
e të ngurronte. Kur Jezusi erdhi për herë të dytë, tetë ditë më pas, në Çenakull,
i tha: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere
në kraharorin tim e mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”. Përgjigja e Apostullit
është besojmë prekëse feje: “Zotëria im e Hyji im!”. (Gjn 20, 27-28).
“Zotëria
im e Hyji im!”. Ta përsërisim edhe ne besojmën tonë të fesë së bashku me Tomën. Si
urim për Pashkët e këtij viti, mendova të zgjedh pikërisht fjalët e tij, sepse njerëzimi
i sotëm pret nga të krishterët një dëshmi të re të ngjalljes së Krishtit; ka nevojë
ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë. Në se me këtë Apostull
mund të davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e
zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me
bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez
pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Zoti i ngjallur nuk vdes më. Ai
jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të tij të amshuar
shëlbues.
Secili nga ne mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e venë
në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur
peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave
dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë? E pra, në kundërshtim me çdo arsye të
mirë – pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për
ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit e na çon drejt zbulimit
të fytyrës së tij të vërtetë: fytyrës së një Zoti i cili, në Krishtin, ngarkoi mbi
vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur. Toma mori nga Zoti e pastaj ia përcolli
Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet e vdekja e Jezusit e të përforcuar
nga takimi me Të, të ngjallur. Një fe që gati-gati kishte vdekur e që rilindi, falë
prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi
e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu.
“Nga plagët e
tij jeni shëruar” (1 Pt. 2,24) – është ky lajmi që u jepte Pjetri atyre që u kthyen
të parët në fenë e Krishtit. Këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë,
sepse shenja të dukshme të falimentimit të Jezusit, po këto plagë u bënë, në takimin
me të Ngjallurin, prova të një dashurie ngadhënjimtare. Këto plagë që Krishti i mori
për dashurinë tonë, na ndihmojnë të kuptojmë kush është Zoti e të përsërisim edhe
ne: “Zotëria im e Hyji im!”. Vetëm një Zot që do aq shumë, sa të marrë mbi vete plagët
e dhimbjet tona njerëzore, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë
për t’u besuar!
Të dashur vëllezër e motra, përmes plagëve të Krishtit të ngjallur
mund t’i shikojmë me sytë e shpresës këto të këqija që mundojnë njerëzimin. Duke u
ngjallur, Zoti nuk e zhduku të keqen, as vuajtjen nga bota, por fitoi mbi ta në rrënjë
me begatinë e Hirit të tij. Prepotencës të së keqes iu kundërvu me gjithpushtetin
e dashurisë. Na tregoi se në rrugën e paqes e të gëzimit mund të ecet vetëm me Dashurinë
që nuk ka frikë nga vdekja. «Ashtu si ju kam dashur unë – u tha Apostujve para se
të vdiste - ashtu duajeni edhe ju njëri-tjetrin! » (Gjn. 13, 34). Vëllezër e motra
në fe, që më dëgjoni nga të katër anët e Tokës ! Krishti i ngjallur është i gjallë
mes nesh, është Ai shpresa për një ardhmëri më të mirë. Ndësa me Shën Tomën themi
: « Zoti im e Hyji im ! », të jehojë në zemrën tonë fjala e ëmbël, por impenjative
e Zotit : «Kush do të më shërbejë, le të vijë pas meje. Ku jam unë, atje do të jetë
edhe shërbëtori im. Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im » (Gjn 12,26).
E edhe ne, të bashkuar me Të, të gatshëm për të shkrirë jetën për vëllezërit tanë
(cfr. 1Gjn 3,16), bëhemi apostuj të paqes, lajmëtarë të një gëzimi që nuk ka frikë
nga dhimbja, gëzimit të Ngjalljes. Na e nxjerrtë nga Zoti hirin e kësaj dhurate Pashkësh
Maria, Nëna e Krishtit të ngjallur. Për shumë vjet Pashkët të gjithëve! Krishti
u Ngjallë! Vërtetë u Ngjall! Aleluja!