2010-04-04 16:32:09

Imzot Rrok Mirdita uron të gjithë besimtarët: ‘Për shumë mot Pashkët!”.


(04.04.2010 RV)Mesazhi festiv i imzot Rrok Mirditës, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit, përshkohet nga shpirti i Ngjalljes së Zotit.
E ky shpirt e Krishtit të Gjallë nuk u përket vetëm të krishterëve, por mbarë atyre që kërkojnë udhën, jetën të vërtetën, të cilat mund të gjinden vetëm në Krishtin Shëlbues.
Urimi i Shkëlqesisë së tij Imzot Rrok Mirdita Arqipeshkëv Metropolitan Tiranë-Durrës dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkëvore të Shqipërisë.
Të krishterët në të gjithë botën kremtojnë misterin e çlirimit të historisë në Pashkët e Jezusit, Birit të Hyjit.
Krishti ka lindur në historinë tonë në një kohë të caktuar, dymijë vjet më parë në Betlehemin e Judesë. E Krishti ka vdekur po në historinë tonë, nën Poncin Pilat, i gozhduar në një kryq, që është bërë bekim për botën dhe historinë. Por, ai vazhdon të lindë në çdo kohë dhe në çdo vend në zemrat dhe në jetët e atyre që kanë vendosur ta ndërtojnë ekzistencën në ligjin e ri të dashurisë. Dhe përsëri ai vdes në ditët tona dhe në jetët tona, atje ku mëkati shëmton bashkëjetesën njerëzore. Vdes në fëmijën e pafajshëm që abortohet, në të varfrin që shfrytëzohet, në të shtypurin që vuan, në të pambrojturin që vritet, në ngurtësimin e zemrës që kërkon hakmarrje. Por, toka nuk mund të mbajë në thellësinë e saj të drejtin e Hyjit. Ati e ka ringjallur nga të vdekurit duke i dhënë fund vdekjes dhe duke ju kthyer të drejtën dhe shpresën të gjithë të shtypurve të historisë. Vdekja dhe ringjallja e tij është prova se britma e të pafajshmëve ka arritur gjer te veshët e Hyjit dhe se Hyji i është përgjigjur njeriut duke i dhënë në Jezusin e ringjallur garancinë se jeta e ka mundur vdekjen dhe se të vuajturit do të shohin me sytë e tyre fitoren e ëndërruar. Ringjallja e Krishtit është themeli i shpresës që mund çdo dëshpërim. Qofshin këto Pashkë frymëzim shprese dhe burim bekimi për të gjithë shqiptarët!
Për shumë vjet Pashkët dhe Zoti e bekoftë vendin tonë.
Por, ta ndjekim mesazhin e urimit të imzot Mirditës:...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.