(04.04.2010 RV)Faqe nga tradita Është prill. Shiu ka pushuar që kur, e qielli
është kaltëruar. Lulet harbohen në arat e shqerat bëhen gati të flijohen për Natën
e Madhe. Pas gazit të Llazoreve, njerëzia përgatitet për ardhjen e Pashkës: me shqerkë,
me kuleçër e me vezë të kuqe. Tërë Javën e Madhe gratë këputen dyke larë, dyke lyer,
dyke fshirë pezhishkat e merimangave, dyke qepur rroba të reja për fëmijët e dyke
vajtur nëpër Kishat. Marrin me vete kuleçërit, qirinj për fëmijët e llamabadhe për
të mëdhenjtë. Pastaj nisin e skuqin e vezët. Ka historinë e vet edhe kjo: “Ishte
Pashka e Madhe. Një grua po kalonte rrugës me një shportë në dorë. E kish mbushur
plot me vezë, të sapo mbledhura nga furriqi. Thamë se qe ditë Pashke e rruga ishte
plot me njerëz, që festonin. Pranë saj kaloi një burrë, që e përshëndeti me brohorinë
e Festës së madhe: “ Krishti u ngjall!”. Ajo nuk u përgjigj. Nuk besoi. E këtë
mosbesim, e shprehu me fjalët: “Në qoftë se këto vezë, që kam unë në shportë kuqen,
atëherë edhe unë besoj se vërtetë Krishti u ngjall!”. Vezët u kuqnë menjëherë dhe
prandaj mbeti ky zakon. Ky e zakone të tjera, që lidhen me kremtimin e Pashkës”. Kështu
rrëfen gojëdhëna. Të Shtunën e Madhe fëmija bëhen copë dyke veshur e dyke zhveshur
rroba të reja: kush merr këpucka të reja, kush rrobka të reja e kush këmishë të reja,
që do t’i veshin të nesërmet. Mbrëmanet fëmija lahen, hanë bukë e bien të flenë. Pastaj,
përpara mezit të natës, bien portat, ngrihen, ndërrohen, marrin qirinjtë e vezët e
kuqe dhe venë në Kishë për të dëgjuar Ristozë. Si dëgjojnë Ristozë, thyejnë vezët
e kuqe dhe, me qirinjt të ndezur në dorë, kthehen në shtëpi, ku i pret sofra shtruar.
Si dënden mirë, bëjnë një gjumë dërdenge dhe të nesërmen vishen me rrobat më të mira.
Hyjnë ku gjejnë portë hapur, për të mbledhur vezë, që t’i kenë për meze tërë javën.
E, si marrin vezën, urojnë. Ja disa nga urimet që shkëmbeheshin në Shqipërinë e
Mesme: “Sa lule maj’e Tomorit, Aq dhen e dhi oborit. Sa biçka m’at qershi, Aqë
trima m’at shtëpij, Sa furka m’at çardhak, Aqë nuse me duvak. Sa zhur m’at
ur, Aq topa me pëlhur. Kush të më napi nji koqe ve, I dhashtë Zoti nji pendë
qé!”. Kështu gjatë tetores së Pashkëve, rrugët mbushen plot me urime, me guaska
vezësh të kuqe e me shkëmbimin e përshëndetjes: “Krishti u ngjall!”- “Vërtetë u
ngjall!”. Marrë, me pak ndryshime, nga “Folklor shqiptar”; Tiranë 1944,
Zakone gjatë vjetit”, fq 64